Hoxha tërheq interesimin e gjigantit kroat

Futboll

Hoxha tërheq interesimin e gjigantit kroat

Më: 25 nëntor 2023 Në ora: 19:18
Arbër Hoxha në veprim

Arbër Hoxha, një nga futbollistët që nuk po ftohet nga Kombëtarja e Kosovës, po tregon formë të lartë këtë sezon me Slaven Belupon në Kroaci.

Falë formës së mirë, sulmuesi i krahut të majtë ka tërhequr së fundmi interesimin e gjigantit kroat, Hajduk Splitit.

“Index.hr” raportoi këtë të shtunë për interesimin e klubit nga Spliti. Sipas mediumit kroat, drejtori sportiv i klubit, Mindaugas Nikolicius, ka ndjekur nga afër ndeshjen e djeshme mes Lokomotiva Zagreb dhe Slaven Belupo, që u fitua nga këta të fundit me rezultatin 1:3.

Nikolicius ishte i pranishëm në stadium për të parë nga afër Hoxhën, i cili nuk zhgënjeu. Ai kontribuoi me gol në fitoren e skuadrës së tij.

Sipas raportimit nga mediumi i Kroacisë, ish-sulmuesi i Ballkanit vëmendjen më të madhe po e tërheq pasi po ia del të shënojë gola ndaj skuadrave të mëdha në elitën e futbollit kroat.

Kësisoj, nëntë herë kampionët e Kroacisë mund të tentojnë transferimin e 25-vjeçarit gjatë afatit kalimtar të janarit.

Hoxha me Slaven Belupon ka kontratë të vlefshme deri në verën e vitit 2027. Ai këtë sezon ka ndihmuar skuadrën me pesë gola dhe tre asistime në 17 paraqitje në total.

Vlen të theksohet se Hoxha është gjithmonë një prej futbollistëve më të përmendur në opinionin tonë, për shkak të mungesës së ftesës nga ana e Kombëtares së Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat