Klopp konfirmon lëndimet e Jotas dhe Alissonit

Futboll

Klopp konfirmon lëndimet e Jotas dhe Alissonit

Më: 25 nëntor 2023 Në ora: 19:33
Klopp e Jota

Trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp, ka thënë se lëndimet e Diogo Jotas dhe Alisson Becker kanë hedhur një ‘hije’ mbi barazimin e tyre me rezultat 1-1 ndaj Manchester Cityt.

Goli i Alexander-Arnold barazoi shifrat në takimin e luajtur në “Etihad” pasi paraprakisht Haaland kishtë shënuar në pjesën e parë për t’i dhënë epërsinë “Qytetarëve”.

Të besuarit e Guardiolës kishin në pjesën më të madhe të kohës posedimin e topit dhe rastet ishin në anën e tyre, andaj “Të Kuqtë” duhet të ndahen të kënaqur me një pikë nga kjo përballje.

Megjithatë, sulmuesi Jota u largua menjëherë pas pjesës së parë dhe Alisson mori gjithashtu një goditje.

“Alisson dhe Jota ndjenë diçka andaj duhet ta vlerësojmë dhe pastaj të shohim. Kjo nuk po duket mirë”, ka thënë Klopp fillimisht pas ndeshjes.

Tutje, duke folur për gjendjen fizike të Alisson ai tha që shpreson se nuk ka asgjë serioze por nuk pati përgjigje kur u pyet për shkallën e lëndimit.

“Shpresoj se nuk është aq serioze, por nuk kam përgjigje, nuk e di për momentin se çfarë është. Fola me të dhe ai tha se ndjeu një goditje, por duhet të presim për testet mjekësore”, shtoi Klopp.

Teksa lëndimet i dhanë një ‘goditje të madhe’ Liverpoolit, ky rezultat e hap edhe një herë tjetër garën për titull kampion. City dukej se ishin të gatshëm që të krijojnë distancë nga rivalët e tyre, por ky barazim do t’i ndihmojë ekipet tjera të ndjekin tufën.

Liverpooli padyshim që do të ketë probleme të konkurrojë për titull, në rast se konfirmohet ndonjë lëndim serioz për Alisson.

Ndeshja e radhës për Liverpoolin tani do të jetë ndaj ekipit austriak LASK në kuadër të Ligës së Evropës dhe deri atëherë mbetet të shihet se si do të jetë situata me dyshen në fjalë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat