Sylvinho tregon se si FSHF-ja i ka projektuar sukseset kuqezi

Futboll

Sylvinho tregon se si FSHF-ja i ka projektuar sukseset kuqezi

Më: 29 nëntor 2023 Në ora: 13:20
Shqipëria

Ndeshja historike që solli kualifikimin ndaj Moldavisë, mbështetja e madhe e tifozëve kuqezi, rrugëtimi drejt “Gjermani 2024”, synimet e të ardhmes dhe rritja e Federatës Shqiptare e Futbollit në aspektin profesional dhe duke investuar vazhdimisht për një infrastrukturë sa më moderne dhe kushte dinjitoze për të gjithë kuqezinjtë.

Trajneri i ekipit Kombëtar, Sylvinho ka folur për të gjitha këto tema në një intervistë për median italiane “Cronache di spogliatoio”.

Tekniku kuqezi tha se mbështetja e madhe e tifozëve në këtë edicion ishte fantastike, ndërsa vlerësoi maksimalisht kushtet e krijuara nga FSHF, ku tregoi se gjithçka ishte në nivelin e duhur, gjë që sipas tij ndikon drejtpërdrejtë në zhvillimin e futbollit dhe në arritjen e këtyre rezultateve historike për vendin tonë.

Përsa i përket të ardhmes Silvinjo tha se Shqipëria duhet të mësohet të luaj në Europian, ndërsa shtoi se duhet të synohet edhe kualifikimi në Botëror.

Ndeshja me Moldavinë & dhe mbështetja e tifozëve – “Shumë minuta stres në ndeshjen ndaj Moldavisë, por në fund hodha pas të gjithë ankthin që kisha brenda, ishte diçka e bukur. Ne kemi pasur mbështetje fantastike nga tifozët tanë në çdo ndeshje. Në ndeshjen ndaj Çekisë në transfertë për shembull ishte çmenduri. Në Pragë kishte shumë tifozë shqiptarë në një ndeshje transferte dhe kjo u ndje shumë. Është diçka fantastike, një ndjesi e mrekullueshme”.

Përzgjedhja & njohja e lojtarëve – “Përzgjedhja, njohja dhe monitorimi i lojtarëve është një proces shumë i vështirë. Në fakt, muajt e parë janar, shkurt, dhe para ndeshjes së marsit, ishin shumë të vështirë. 40-50% e futbollistëve luajnë në Itali, Spanjë, Premier League, Bundesligë, ata në fakt ishin lojtarët më të lehtë për t’u ndjekur, por të tjerët jo.

Pastaj nisëm një tur me udhëtime të rëndësishme. Unë dhe Doriva bëmë shumë udhëtime nëpër Europë për të parë dhe takuar lojtarët”.

Investimet e FSHF – “Gjithçka shkon në drejtimin e duhur dhe kushtet që na ka ofruar FSHF janë shumë të mira. Kemi tashmë një kompleks stërvitor modern, qendrën e fizioterapisë, palestër dhe zyrat tona ku ne punojmë çdo. Kemi video-analistë, trajnerë të përgatitjes atletike, pastaj vjen edhe pjesa teknike. Në këtë mënyrë dhe me këto kushte futbolli në Shqipëri po zhvillohet shumë mirë. Edhe Federata Shqiptare e Futbollit është rritur shumë ndër vite në çdo aspekt. Nga këtu niset gjithçka, punohet shumë me një staf të madh njerëzish të cilët mendojnë dhe punojnë çdo ditë për zhvillimin e futbollit shqiptar dhe kjo është diçka e bukur”.

Synimet e të ardhmes – “Duhet të mësohemi të luajmë në Europian, duhet të kualifikohemi edhe në Kupën e Botës, pastaj të shkojmë sërish në Europian. Nuk mund të ndalemi me kaq, nuk mund të mendojmë vetëm për kualifikimin në grupet e Europianit. Mund të kualifikohemi dhe të shkojmë në raundin e 1/16-ve e më pas në çerekfinale, është shumë gjë e mirë, në fakt është e bukur. Por për mendimin tim ka më shumë rëndësi projekti për të ardhmen. Duhet të rritemi më shumë dhe të mësohemi që të shkojmë sërish në Europian dhe në edicionin e radhës të kualifikohemi në Kupën e Botës”.

Shembulli i kapitenit Berat Gjimshiti – “Për të ka qenë e vështirë të mos shkonte në finalet e Euro 2016. Por futbolli të jep gjithmonë një shans të dytë dhe jo vetëm futbolli, vetë jeta të jep një shans të dytë. Ai është shumë i qetë dhe arsyeja që bëmë atë kapiten është edhe fakti se skuadra ka nevojë për qetësi në fushë.

Kam parë pak historinë e tre, katër, pesë viteve të fundit dhe ndonjëherë futbollistët e humbin pak përqendrimin, por futbolli nuk të fal. Nuk është e lehtë, por vazhdueshmëria, qetësia është shumë e rëndësishme.

Ai përveç faktit se është një futbollist i madh, është nga ata që e ruan shumë qetësinë. Luan në një skuadër ku ka lojtarë të mëdhenj, ekspertë. Por, ai është gjithnjë i qetë dhe këtë ia transmeton skuadrës”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat