Mala mungon sërish,

Futboll

Mala mungon sërish,

Më: 1 dhjetor 2023 Në ora: 15:06
Vllaznia

Tekniku i Vllaznisë, Qatip Osmani, do të ketë një mungesë tejet të rëndësishme edhe ndaj Egnatias.

Mesfushori fantazist, Esat Mala, nuk do të luajë edhe këtë sfidë shumë të rëndësishme siç është ajo me rrogozhinasit.

Nga ana tjetër mësohet se tekniku Osmani do t’i besojë sërish të njëjtit formacion që hodhi në fushën e lojës në përballjen e fundit ndaj Teutës.

Në të tria repartet mësohet se gjërat do të jenë të njëllojta.

Në portë do të luajë Qarri, në mbrojtje katërshja e përbërë nga Smajli e Hakaj në krahë e Pusi e Juriç në qendër.

Në mesin e fushës treshja Krymi e Boshnjaku dhe para tyre pritet që të jetë sërish Sala, i cili me paraqitjen e bërë ndaj Teutës duket se ka fituar edhe besimin e stafit teknik për të marrë një vend në formacion. Sulmi do të ketë në majë Balën e në krahë pritet të jenë Çoba e Gruda, ky i fundit autor i atij goli me vlerat e tri pikëve për kuqeblutë në përballjen e fundit.

TABUJA Vllaznia e teknikut Qatip Osmani do të kërkojë të shtunën që të thyejë një tabu në Rrogozhinë ndaj Egnatias.

Ajo nuk njeh asnjë fitore në këtë fushë ndaj kësaj skuadre që pavarësisht se ka ardhur si një emër i panjohur në Superioren shqiptare ka rezultuar të jetë një “kockë e fortë” për ekipin kuqeblu. Vllaznia nuk ka shkuar më shumë se një barazim me këtë skuadër, ndërsa shijen e fitores nuk e ka arritur në asnjë përballje. Kësaj here kuqeblutë mund të tentojnë të thyejnë tabunë e kësaj fushe në mënyrë që të vijojnë edhe serinë e rezultateve pozitive.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat