Nuk pranojnë të drejtojnë ndeshjet e fundjavës për shkak të pasigurisë

Futboll

Nuk pranojnë të drejtojnë ndeshjet e fundjavës për shkak të pasigurisë

Më: 6 dhjetor 2023 Në ora: 14:43
Foto ilustrim

Gjyqtarët grekë dhe zyrtarët e ndeshjeve njoftuan të martën se nuk do të drejtojnë asnjë ndeshje të Superligës së futbollit të këtij vendi, duke filluar nga fundjava, në shenjë proteste.

Ata kanë nisur bojkotin me arsyetimin se ndihen të rrezikuar. Futbolli grek është dëmtuar nga telashet e shkaktuara nga tifozët, si dhe nga akuzat për korrupsion dhe trukime ndeshjesh, të cilat kanë nxitur pakënaqësi dhe kanë bërë që numri i shikuesve në tribuna të pakësohet.

Gjyqtarët në Greqi janë shpesh objektiv i sulmeve të dhunshme nga tifozët dhe disave u janë djegur shtëpitë dhe automjetet.

Muajin e kaluar gjyqtarit nga Athina, Andreas Gamaris, iu sulmua dyqani me armë zjarri. Ndërkohë, ditë më parë një gjyqtar tjetër, Tasos Papapetru, dyshohet se mori kërcënime me vdekje pasi kishte drejtuar një ndeshje të Superligës fundjavën e shkuar. “Në vitet e kaluara gjyqtarët grekë dhe të huaj kanë qenë objektiv i përhershëm, si një thes boksi, dhe të akuzuar për largimin e përgjegjësive nga të tjerët”, thanë gjyqtarët e Superligës në një letër drejtuar komitetit qendror të gjykimit dhe Federatës Greke të Futbollit.

“Akuzat që mbeten pa u ndëshkuar, ngacmimet, kërcënimet, sulmet verbale dhe fizike janë vetëm disa nga çështjet që e kanë bërë futbollin toksik”. Presidentët e klubeve gjithashtu komentojnë rregullisht për gjyqtarë të caktuar, madje edhe para ndeshjeve.

Në edicionet e mëparshme Superliga ka sjellë gjyqtarë të huaj për të lejuar vazhdimin e ndeshjeve të nivelit më të lartë të kampionatit grek të futbollit. “Si rezultat, gjyqtarët dhe ndihmësgjyqtarët e divizionit të parë (Superligës) kanë vendosur që të mos drejtojnë asnjë ndeshje duke filluar nga java e 14-të (në fundjavë) derisa kushtet të jenë të përshtatshme për sigurinë tonë.

Me këtë veprim ne synojmë të mbrojmë veten dhe familjet tona”, thuhet në letër, ku kërkohet edhe një takim me kryeministrin e Greqisë, Qiriakos Micotaqis.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat