Teuta, agresive kundër Partizanit

Futboll

Teuta, agresive kundër Partizanit

Më: 6 dhjetor 2023 Në ora: 16:32
Teuta

Fitorja e fundit daton në 22 tetor kundër Dinamos, por që atëherë Teuta ka parë vetëm një fundosje të ngadaltë me vetëm 2 pikë në 6 daljet e fundit.

Edi Martini nuk po arrin të stabilizojë performancat në fushë të të tijve, që janë sulmi më i dobët i kampionatit me 10 gola të shënuar dhe një nga tre mbrojtjet më të dobëta me 21 gola të pësuar, sa Tirana e vetëm Kukësi ka bërë më keq.

Seria negative e ka krijuar me 3 pikë distancën e Teutës nga të tjerët. Në këtë pikë, rikuperimi me Partizanin bëhet vendimtar, për të kthyer trendin e rezultateve e për të arritur trenin e skuadrave që synojnë mbijetesën.

Martini nuk ka shumë dilemma. Alla që do të mungojë i dëmtuar është i padisponueshmi i vetëm për ndeshjen e të enjtes, e shtyrë nga javën e parë të kampionatit.

Dema mes shtyllave është i sigurtë, ashtu si linja katërshe e mbrojtjes në një 4-2-3-1, që i jep më shumë ekuilibër teknikut. Kruja, Qaqi, Jazxhi e Kotobelli, do të kenë digën e parë filtruese të aksioneve të Partizanit në dyshen Beqja-Daja.

Teuta synon të jetë aggressive përpara, duke qenë se sulmi i tyre ka qenë anemic.

Ndaj për të ndihmuar qendërsulmuesin Daci do të mendojë treshja Peposhi, Arifi, Gjinollari, me 16 vjecarin që do të jetë rifinitori i durrsakëve: përgjegjësi e madhe, por tani Teuta ka nevojë për djaloshin e talentuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat