Ndizet Serie A, Juventusi pret Napolin për të rimarrë kreun

Futboll

Ndizet Serie A, Juventusi pret Napolin për të rimarrë kreun

Më: 8 dhjetor 2023 Në ora: 13:08
Pamje nga një ndeshje

Serie A nuk rresht së ofruari supersfida dhe ajo e kësaj jave vjen që këtë të premte me ndeshjen e madhe Juventus-Napoli që çel javën e 15-të të kampionatit italian. Padyshim një ndeshje e rëndësishme për prestigjin, me vitet e fundit që kanë sjellë një rivalitet të ndezur mes dy skuadrave, por mbi të gjitha për llogaritë e kampionatit.

Juventus deri tani ka qenë e vetmja skuadër që ka mbajtur hapin e Inter, me vetëm dy pikë më pak në klasifikim se zikaltërit ka shansin që me një fitore të marrë kreun duke rritur presionin ndaj skuadrës së Inzaghit që pret të shtunën mbrëma Udinezen.

Napoli është skuadra kampione në fuqi, por këtë sezon nuk ka arritur të tregojë atë çfarë dhuroi me Spalletin, dhe plot 11 pikë larg kreut, një tjetër rritje e distancës mund të thotë një abdikim i parakohshëm, por trajneri Mazarri shpreson që kthesa të vijë pikërisht këtë të premte me një fitore në Torino.

Napolit i duhet të reagojë pas një disfatë të rëndë, 3-0 të pësuar në shtëpi ndaj Interit, por për ta bërë këtë i duhet të bëjë mrekullinë përballë një Juventusi që në Torino di të shfrytëzojë më së miri pragmatizmin e Allegrit, pasi bardhezinjtë janë skuadra që kanë marrë më shumë pikë në shtëpi në këtë kampionat, plot 17 në 7 ndeshje me 5 fitore dhe 2 barazime.

Për Zonjën e Vjetër është momenti për të thyer edhe një tabu, duke qenë se nuk kanë fituar asnjë nga 4 ndeshjet e fundit me Napolin, duke humbur 3 prej tyre, përfshirë edhe një 5-1 të rëndë sezonin e kaluar.

Gjithsesi Juventus Stadium nuk është aq i frikshëm për Napolin, që aty ka humbur vetëm 1 nga 7 ndeshjet e fundit të kampionatit, por të kaltërit duhet të sistemojnë fazën mbrojtëse duke qenë se në dy ndeshjet e fundit në Champions e kampionat kanë pësuar plot 7 gola nga Reali dhe Interi.

Juventusi vjen pas një fitoreje karakteri ndaj Monzës të siguruar në frymën e fundit, dhe kërkon të vazhdojë rrugën e suksesit, duke kuptuar çdo javë e më shumë se e kanë potencialin për të sfiduar Interin për titullin kampion.

Për sa i përket të rejave të fundit nga dy kampet, te Juve me Danilon të rikuperuar braziliani mund ta nisë titullar edhe pse Rugani është me gjendje gripale, Allegri që shpreson dhe në rikthimin e Locatelli pritet të hedhë në sulm dyshen Chiesa-Vlahovic.

Do të jetë një duel i zjarrtë sulmesh me Osimhen, Kvaratskelia e Politano që do të jenë në krahun tjetër te Napoli ku i vetmi që shqetëson është di Lorenzi që edhe pse ka patur lodhje muskulare është stërvitur, ndërsa Zielnski është mirë dhe do të jetë titullar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat