Mungesë e madhe për Dinamon

Futboll

Mungesë e madhe për Dinamon

Më: 12 dhjetor 2023 Në ora: 16:54
Dinamo

Humbja një ditë do të vinte edhe për Dinamon e trajnerit Mehmeti.

Erdhi në Shkodër dhe ajo disfatë djeg më shumë për faktin se si u pësua, me disa gabime naive dhe gola thuajse të falur për kundërshtarin.

Gjithsesi, në kampin dinamovit janë munduar që ta lënë pas atë zhgënjim dhe të fokusohen te sfida e radhës me Egnatian.

Nuk ka kohë për të humbur, për më tepër që blutë janë sërish aty me pikë, mjafton të reagojnë në dy ndeshjet e fundit të këtij viti. Që të dyja luhen në stadiumin “Niko Dovana”, me Egnatian fillimisht dhe pastaj me Teutën vendëse.

Nëse Dinamo arrin të marrë dy rezultate pozitive, do të qëndronte në pozita pretenduese dhe me ndonjë përforcim në merkaton e janarit, do të ishte një pretendente shumë serioze për “Final 4”.

Skuadra ka nisur që dje punën për ndeshjen e së shtunës me rrogozhinasit, ku stafi teknik dhe drejtuesit e klubit presin reagim të menjëhershëm. Kohë për të ‘vajtuar’ humbjen e Shkodrës nuk ka.

MARKU – Në ndeshjen e radhës me Egnatian kryesuese trajneri Dritan Mehmeti do të ketë një mungesë të rëndësishme. Albion Marku nuk do të jetë në dispozicion të tij, sepse ka plotësuar numrin 4 të kartonëve të verdhë dhe është i skualifikuar. Lojtari i krahut të djathtë po kalonte një formë të mirë javët e fundit dhe i prish jo pak planet e stafit teknik, sepse nuk ka të gatshëm as Silvio Vokrrin që luan në këtë pozicion për shkak dëmtimi.

Mundësia më e madhe është që vendin e Markut ta marrë Patrik Bardhi, i cili është aktivizuar edhe më parë si mbrojtës i djathtë. Marku kishte humbur deri tani vetëm një ndeshje në fazën e parë të kampionatit për shkak dëmtimi. Përveç tij, mungesa të tjera për trajnerin Dritan Mehmeti do të jenë ato të Danajt dhe Mijës. Prodani dhe Zabërgja i kanë lënë pas dëmtimet dhe ishin të gatshëm që në ndeshjen e Shkodrës. Zabërgja madje luajti si zëvendësues në pjesën e dytë dhe ndaj Egnatias pritet që të rikthehet titullar.

Gjatë javës stafi do të vendosë për strategjinë që do të ndjekë ndaj një kundërshtari shumë të fortë, si Egnatia, duke shpresuar që të mos ketë probleme të tjera fizike me lojtarët që janë në grup.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat