Lilaj: Dinamo të besojë te vetja

Futboll

Lilaj: Dinamo të besojë te vetja

Më: 14 dhjetor 2023 Në ora: 17:08
Lilaj

Edhe dy ndeshje nga ky vit kalendarik, për t’ia lënë vendin e merkatos së janarit, ku çdo skuadër kërkon të riparojë sa të jetë e mundur. Dinamo e këtij sezoni, pasi atij starti shumë të vështirë me Di Biaxhon në stol, ka sistemuar disa gjëra, por jo gjithçka, ndaj dhe në merkaton e dimrit pritet të pësojë ndryshime. Por deri atëherë ka ende kohë, janë edhe 180 minuta për t’u luajtur dhe 6 pikë në lojë.

Në kampion blu shpresojnë që të marrin maksimumin për të qenë sa më afër 4-shes së parë, pse jo dhe brenda saj. Nuk është e lehtë, sidomos ndeshja e radhës me Egnatian kryesuese, por jo e pamundur. Për Dinamon nuk lejohen hapa të tjerë falsë dhe skuadra po përgatitet me shumë seriozitet për sfidën e së shtunës.

LILAJ – Sabien Lilaj, i cili u tërhoq nga futbolli i luajtur në fund të sezonit që shkoi, ka qëndruar në klubin blu. Ai është aktualisht pjesë e akademisë së Dinamos, që është riorganizuar totalisht dhe është një prioritet i presidentit Bardhi. Lilaj, i cili drejton Dinamon U-16, jep mendimin e tij edhe për skuadrën e parë. Për “Panorama Sport”, ai thekson se duhet pak më shumë besim në vetvete për të shkuar më lart në renditje, atje ku Dinamo meriton të jetë. “Skuadra ka ndryshuar pozitivisht me ndryshimin që u bë në stafin teknik. Rezultatet flasin vetë për këtë ndryshim.

Erdhi kjo humbje në Shkodër, por janë situata që në futboll ndodhin. Rëndësi ka që skuadra të gjejë forca dhe të reagojë. Janë edhe dy ndeshje të fundit për këtë vit dhe nëse kalohen me sukses, shtohen shanset për të bërë më mirë në gjysmën e dytë të kampionatit. Do të thosha se skuadra duhet të besojë pak më shumë te vetja. Ky kampionat po tregon se nuk ka diferenca të mëdha mes ekipeve. Dinamo e ka përmirësuar lojën dhe uroj që të rritet akoma më shumë. Ndoshta edhe pas merkatos së dimrit mund të forcohet më shumë dhe të jetë pretendente serioze për në 4- shen e parë. Mundësitë janë. Kur bën lojë, edhe rezultatet do të vijnë. Më ka pëlqyer Andoni, një lojtar me kualitet në mesfushë, që i ka dhënë diçka më tepër Dinamos që kur ka filluar të luajë.

Tani është shumë e rëndësishme që të merren rezultatet pozitive në dy ndeshjet që ka përpara me Egnatian dhe Teutën. Janë ndeshje që kërkojnë shumë kujdes dhe përqendrim. Siç e thashë, duke besuar më shumë te vetja, Dinamo i ka mundësitë të marrë maksimumin në këto ndeshje”, ka thënë ish-futbollisti korçar.

Përveç Lilajt, në akademi janë angazhuar edhe disa dinamovitë të tjerë, duke nisur nga ish-kapiteni Luan Pinari, që e drejton këtë akademi, apo edhe Engert Bakalli e Edvan Bakaj. Pjesë e stafeve të akademisë është gjithashtu edhe ish-lojtari i Kombëtares, Jahmir Hyka.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat