Lenjani në kërkim të një skuadre para “pensionit” në verë

Futboll

Lenjani në kërkim të një skuadre para “pensionit” në verë

Më: 22 dhjetor 2023 Në ora: 16:52
Lenjani

Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare është pa ekip që nga muaji korrik, por 34- vjeçari nuk e ka ndalur punën për ta mbajtur formën, pasi nuk e ka në plan që të varë “këpucët në gozhdë”.

Ndaj, ai  është në kërkim të një destinacioni të ri, që mbase mund të jetë edhe i fundit për karrierën e tij si futbollist.

Anësori i krahut të majtë për herë të fundit u pa pranë skuadrës turke Umranijespor, por është kthyer në Zvicër, ku po vazhdon punën individuale.

 Lenjani ka 44 ndeshje me Kombëtaren e Shqipërisë, ndërsa karrierën me klube e ka të zgjeruar ku është aktivizuar te Uinterthur, Grasshoper, St. Gallen, Renes , Nantes, Sion  dhe Umranijespor. Pas aventurës në turqi Lenjani  jeton në Uinterthur të Zvicrës.

“Askush nuk më ka llogaritur në mua te juniorët e Uinterthurit. Ndonëse kam pasur të majtë të mirë, isha shumë i lehtë. Por nuk jam dorëzuar. Kam dashur të punojë. Dhe për këtë jam krenar në jetën time”, ka thënë Lenjani për “Blick”.

Falë punës së madhe, Lenjani ia doli të depërtojë te Uinterthuri. Më pas luajti për Grasshoperin, por shpërtheu te St. Galleni. Ra në sy të Kombëtares shqiptare dhe  u transferua te Renes në Francë, ku bashkëlojtar kishte Ousmane Dembelen. Te Renes nuk shfaqi shumë dhe u huazua te Nantes, para se të kthehej te Sioni, pas dy vjetëve në Francë.

Karriera në Turqi.

“Liga turke është shumë interesante. Kam jetuar në një qytet shumë të bukur, kemi luajtur rregullisht në stadiume të mëdha, kundër lojtarëve të mëdhenj”, ka thënë Lenjani.

Pas kthimit në verë në Zvicër, asnjë skuadër nuk shfaqi interesim për ta transferuar. Por vazhdoi punën me trajner fitnesi dhe po e pret ofertën e duhur.

“Qëllimi im është i qartë, jam në dispozicion të klubeve profesioniste në Zvicër, që të luaj për gjashtë muaj në nivel të lartë dhe të bëhem gati për atë që vjen pastaj”, thotë Lenjani.

Ai do të mbetet në futboll. Ka diplomën A të trajnerit dhe ka ndjekur studimet për menaxher futbolli.

Lenjani e di që nuk ka gjasa të jetë me Shqipërinë në Kampionatin Europian në Gjermani, por thotë se do të jetë tifozi më i zjarrtë dhe se është krenar që ishte pjesë e këtij udhëtimi. “Euro 2016” mbetet pika kulmore në karrierën e Lenjanit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat