Barcelona më në fund mori frymë lirshëm në vitin 2023.
Gjiganti katalunas i dha fund pritjes prej katër vjetësh për ta fituar titullin e kampionit në La Liga.
Ekipi i Xavi Hernandezit shfaqi siguri, mbi të gjitha në mbrojtje duke i pësuar veç 20 gola, ndërsa përpara u drejtua nga Robert Lewandowski në supe-formë.
“Blaugrana” e mbyllën sezonin prej 38 ndeshjesh si liderë me 88 pikë, 10 më shumë se Real Madridi, që përfundoi si nënkampion.
E Barça triumfoi edhe në Superkupën e Spanjës, ku e mundi Real Madridin me rezultat 3:1 në fillim të vitit 2023.
Super-talenti Gavi i kaloi katalunasit në epërsi në minutën e 33-të, kurse Lewandowski e shtoi epërsinë e ekipit të tij në minutën e fundit të pjesës së parë.
Dominimi katalunas u shpërblye në minutën e 69-të kur Pedri e vulosi fatin e këtij takimi.
Ajo çka mundi të bënte ekipi i Carlo Ancelottit, i cili u tregua i pafuqishëm në këtë takim ishte që ta ngushtonte rezultatin në minutat shtesë të lojës përmes Karim Benzemas.
Sidoqoftë, “Los Blancos” nuk mbetën pa trofe pasi ata e fituan Copa del Rey.
Braziliani Rodrygo ishte hero i “Mbretërve” me dy gola të shënuar, në minutën e dytë dhe në atë të 70-të.
Kurse, përkohësisht rezultatin e barazoi Lucas Torro në minutën e 58-të.
E në sezonin aktual, Girona është mrekullia më e madhe pasi po i rivalizon Realin e Barçën për titull të kampionit, të paktën deri tash.