Mrekullia e Girona-s në Spanjë

Futboll

Mrekullia e Girona-s në Spanjë

Më: 4 janar 2024 Në ora: 23:13
Girona

Në fund të raundit të parë, skuadra e Míchel është në vendin e dytë, me pikë të barabarta me Realin e vendit të parë

15 fitore, 3 barazime dhe vetëm një humbje në 19 ndeshjet e para të La Ligës, katër gola të shënuar kundër Barcelonës dhe Atletikos dhe vendin e parë në renditje të ndarë me Real Madridin e Carlo Ancelottit. Që nga fillimi i sezonit, tifozët e Gironas kanë jetuar një përrallë që po u kujton arritjet e Leicesterit legjendar të Claudio Ranierit në sezonin 2015/16, kur çuditërisht fituan Premier League.

“Nuk mund të vazhdojmë me ritmin e Madridit, nuk duam të etiketojmë veten si sfidues”, deklaroi trajneri Michel pas fitores së mbrëmshme piroteknike ndaj Atleticos, por koincidenca me ecurinë e pabesueshme të “Dhelprave” tetë vjet më parë i autorizon tifozët të ëndërrojnë.

Ashtu si Leicester, edhe Girona ka shumë pak përvojë dhe traditë në ligën më të lartë, është vetëm pjesëmarrja e katërt në La Liga dhe vitin e kaluar përfundoi në vendin e dhjetë (si i sapo promovuar), por mbi të gjitha, si ekipi i Ranierit në 2015/ 16, e përfundoi raundin e parë në vendin e dytë dhe me të njëjtat pikë si kryesuesit.

Tetë vite më parë skuadra e Ranierit ishte e para me Arsenalin me 39 pikë, sot Girona ka fituar edhe 9 pikë më shumë...

Skuadra katalane është një mrekulli e vogël, ka sulmin më të mirë në kampionat dhe me meritë kryeson tabelën falë një loje sa spektakolare aq edhe efektive.Të mendosh se mund të triumfojë në fund të vitit nuk është herezi, në futboll asgjë nuk është e pamundur.

Megjithatë, trajneri Michel nuk dëshiron të mendojë për këtë: “Për të folur për gjëra më të rëndësishme, si Liga e Kampionëve, duhet të arrijmë në 10 ndeshjet e fundit... atëherë do të jem gati të flas për të ardhmen tone, për objektivat”, deklaroi ai dhe tifozët katalanas tashmë po ëndërrojnë ta shohin atë të festojë në një konferencë shtypi siç bëri Ranieri.

Por kush është Michel? Mesfushori i talentuar i Rayo Vallecano mes viteve 90 dhe 2000, Miguel Ángel Sánchez Muñoz, i njohur si Míchel, në karrierën e tij si trajner solli fillimisht Rayo (2018) dhe më pas Huesca (2020) në Liga, por pika e vërtetë e kthesës erdhi me ardhjen te Girona.

Në vitin 2022 fitoi promovimin, vitin pasardhës arriti shpëtimin pa probleme dhe sot jeton ëndrrën për të qenë në krye të ligës falë një loje argëtuese dhe spektakolare të krijuar nga presingu dhe bllokimi i hapësirave. 4-3-3 është formacioni referencë dhe stili i lojës është i afërt me atë të Manchester Cityt të Guardiolës...

Gjurma e Guardiolas - Pas një jete në ligat e ulta spanjolle, dhjetë vjet më parë Girona duhej të përfshinte tifozët e tyre për të shlyer borxhet. “El Girona tambien es mio” (Girona është e imja) ishte motoja e aksionerëve të njohur, të cilët duke mbledhur 300 mijë euro shmangën falimentimin e klubit dhe hapën dyert për hyrjen e pronarëve aktualë: në gusht 2017, 44% e aksionet u morën nga City Football Group dhe 44% të tjera nga Girona Football Group i drejtuar nga Pere Guardiola, vëllai i Pep, i cili sot mban rolin e presidentit të Bordit të Drejtorëve dhe CEO i klubit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat