Shpalosen detaje nga strategjia e re e FFK-së për futbollin e vajzave

Futboll

Shpalosen detaje nga strategjia e re e FFK-së për futbollin e vajzave

Më: 9 janar 2024 Në ora: 11:35
Sanije Krasniqi

Masovizimi, fuqizimi dhe zhvillimi i futbollit të vajzave është objektivi kryesor që synon të arrihet përmes strategjisë së re të futbollit të Kosovës të hartuar në fund të vitit të kaluar.

Kjo strategji ka marrë mbështetjen e plotë të FIFA-s dhe UEFA-s duke u dhënë kështu një fuqi edhe më të madhe.

Shefja e edukimit në Federatën e Futbollit të Kosovës, Sanije Krasniqi, ka thënë se në këtë strategji është punuar për më shumë se një vit, me fokus të veçantë për masivizimin e futbollit për femra.

Krasniqi: Punuam një vit në strategjinë për futbollin e femrave

“Ne si Federatë e Futbollit të Kosovës, Departamenti teknik, kemi punuar rreth një vit rreth zhvillimit të futbollit dhe strategjisë së femrave ku fokus i veçantë është participimi i ekipeve nacionale, është lidershipi i femrave, gjithashtu i kemi edhe edukimin e trajnerëve, refereve të reja, kështu që është njëfarë fokusi ynë se ku do të fokusohemi në vitet e ardhshme në zhvillim... Kjo strategji ka qenë në bashkëpunim me FIFA-në, mirëpo ka qenë e mbështetur pjesërisht edhe nga UEFA... Kështu që ka qenë një punë mjaft e gjatë, e vështirë, mirëpo besoj që kemi arritur ta krijojmë një strategji mjaft të pritshme për vitet e ardhshme dhe frytdhënëse që do të jep fryte në vitet e ardhshme në futbollin e femrave”, tha Krasniqi.

Në përpjekjet për masivizimin e futbollit te të gjitha gjeneratat, Krasniqi bëri të ditur se po vazhdon të punohet me projektin “Futbolli në shkolla”, i cili u mundëson fëmijëve të merren me futboll qysh në moshën e tyre të re.

Krasniqi: Po vazhdon zbatimi i projektit “Futbolli në shkolla”

“Projekti ‘Futbolli në shkolla” është nga viti 2020 edhe zakonisht janë të përfshira të gjitha regjionet e Kosovës, ku nxënësit e shkollave fillore, klasa e tretë kanë dy herë në muaj aktivitete të futbollit me arsimtarin e edukatës fizike dhe një trajner që është i licencuar në Federatën e Futbollit të Kosovës, do të thotë i kanë dy orë shtesë gjatë muajit. Kemi edhe aktivitete në kuadër të projektit ‘Grassrots’ me fëmijët me nevoja të veçanta nëpër të gjitha regjionet e Kosovës”, deklaroi Krasniqi.

Krahas punës për masivizimin e futbollit dhe shtrirjes te grup-moshat e reja, Krasniqi tha se zhvillim të hovshëm ka edhe te Superliga e Kosovës në futbollin e femrave.

Krasniqi: Edhe Superliga e Femrave po rritet me hapa të shpejtë

“Ka nevojë për përmirësime, mirëpo çdoherë e më shumë po shihet edhe zhvillimi i ligës dhe futbollit, klubeve, njerëzve që punojnë nëpër klube ku vetë fakti që në ekipet nacionale kemi shumë vajza prej ligës sonë, edhe sukseset që ishin gjatë këtij viti me ekipet e futbollit të femrave, tregon për një rritje dhe një zhvillim të futbollit të femrave. Siç e dini, në ekipin A kemi shumë vajza prej ekipeve të Kosovës, gjithashtu ekipi U19 është gati 80 për qind me vajza nga Kosova, siç është edhe U17 ku i kemi kaluar nga liga B në A, ndërsa ekipi nacional A është e para në Ligën C”, theksoi Krasniqi.

Krasniqi u shpreh e kënaqur me rezultatet e arritura gjatë vitit 2023 me Kombëtaren A të femrave, por që synimet janë për t’u kualifikuar në ndonjë kampionat të rëndësishëm evropian.

Krasniqi: Me Kombëtaren A morëm rezultate të shkëlqyeshme në vitin 2023

“Unë mendoj që 2023-ta ka qenë vit shumë i mirë i Kombëtares A, ku prej grumbullimit të parë në shkurt 2023 kemi zhvilluar 11 ndeshje, miqësore dhe kualifikuese, ku prej tyre kanë qenë dhjetë fitore dhe një barazim. Kështu që ka qenë pa humbje, do të thotë është sukses i dëshiruar. Mirëpo, ne kërkojmë edhe më shumë dhe shpresoj që tani në Ligën B të kemi rezultate të mira dhe pse jo ndonjë kualifikim eventual”, tha Krasniqi.

Duke qenë edhe shefe e edukimit të trajnerëve në FFK, Krasniqi zbuloi për KosovaPress se nga ky vit do të nisin me dhënien edhe të licencës UEFA-A për trajnerët në Kosovë.

Krasniqi: Në vitin 2024 fillojmë më dhënien e licencës UEFA-A për trajnerë

“Në vitin 2024 do të fillojmë me licencën UEFA-A për trajner, me licencën UEFA-B për portierë për herë të parë dhe licencën B për trajnerë të fitnesit. Edukimi është në nivel shumë të lartë në futbollin e Kosovës, e them me plot vetëdije dhe meritë. Në bazë të mbështetjes dhe monitorimeve që kemi nga UEFA, mendoj që vetëm në Ligën e Parë po shihen sukseset e disa trajnerëve që kanë përfunduar në Kosovë dhe shumë shpejt ata do t’i shohim në Superligë dhe besoj edhe në Evropë”, theksoi Krasniqi.

Krasniqi shtoi se volumi i punëve brenda Federatës së Futbollit të Kosovës është jashtëzakonisht i madh, por që ky institucion kritikohet nga njerëzit jashtë saj pasi ata, sipas saj, nuk janë në dijeni për zhvillimet e përditshme që ndodhin brenda kësaj fushe sportive.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat