Ylli i bardhekaltërve do të jetë pjesë e Juventusit

Futboll

Ylli i bardhekaltërve do të jetë pjesë e Juventusit

Më: 17 janar 2024 Në ora: 15:21
Felipe Anderson

Pritja, ashtu sikurse deklaratat në dukje instiktive të trajnerit Sarri pas ndeshjes me Leçen iluminonin atë që pritej të ndodhte.

Felipe Anderson do të largohet nga Lacio me parametër zero, duke qenë se braziliani është i lodhur nga indiferenca e presidentit të tij, Klaudio Lotito, lidhur me mundësinë e rinovimit.

Por në të njëjtën kohë as që bëhej fjalë edhe për një rritje të ofertës së bërë në fillim të këtij sezoni prej 3.5 milionë eurosh neto.

Në këtë mënyrë, siç u përfol edhe me rastin e Krishtlindjeve, e motra menaxhere kishte nisur që të kërkonte një klub të ri për vëllain dhe ia kishte ofruar Juventusit.

Bardhezinjtë, që ndërkohë po mendonin të shpenzonin deri në 30 milionë euro për Domeniko Berardin e Sasuolos gjetën përpara një mur, por Felipe Anderson, ashtu si Berardi ka pak a shumë të njëjtat karakteristika, vetëm me ndryshimin se 30-vjeçari mund të zbarkojë në Torino pa pasur nevojën që të shpenzojnë asnjë qindarkë, nga 1 korriku i këtij viti.

Dhe mesa duket, pas vetofrimit të Felipe Andersonit te Juvja, bisedimet jo vetëm kanë avancuar, por ndërkohë në prapaskenë është punuar gjatë duke kuptuar edhe pse papritur “zonja e vjetër” hoqi dorë nga sulmi ndaj kapitenit të Sasuolos.

Klubi torinez ka kërkuar që të djegë të gjithë konkurrencën për Andersonin dhe ka vendosur që të kalojë menjëherë në sulm me një ofertë shumë herë më të mirë sesa ajo e Lacios: jo vetëm më shumë miliona euro, 4 në vit, plus 500 mijë euro bonuse lehtësisht të arritshme, por ndërkohë edhe kohëzgjatja e marrëveshjes është më e madhe, deri në 30 qershor 2028.

Në këtë pikë, për Andersonin ishte e lehtë që të pranonte ofertën e Juventusit, i cili provoi edhe në këto ditë janari që ta bënte menjëherë të vetin sulmuesin anësor brazilian, por 7 milionë eurot e ofruara ishin shumë larg kërkesës së çmendur të Lotitos prej 25 milionësh. Por ky i fundit tani do të shohë sesi Anderson do të respektojë muajt e fundit të kontratës dhe më pas të veshë fanellën bardhezi në verë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat