Hyseni prezantohet si drejtor sportiv te Ferizaj

Futboll

Hyseni prezantohet si drejtor sportiv te Ferizaj

Më: 22 janar 2024 Në ora: 21:46
Genc Hyseni e Lulzim Abazi

Genc Hyseni është drejtori i ri sportiv i Ferizajt.

Faqja zyrtare e klubit bardhekaltër e ka prezantuar Hysenin, i cili ishte më parë te rivali lokal FC Dinamo.

"FC Ferizaj ka kënaqësi të ju njoftoj se pas negociatave të zhvilluara javën e kaluar, ku ishte i përfshirë direkt edhe vet presidenti i klubit, Lulzim Abazi, Genc Hyseni është emëruar zyrtarisht Drejtor Sportiv i FC Ferizaj.

Hyseni është një figurë e njohur dhe respektuar në gjithë komunitetin sportiv në Kosovë.

Hapat e parë në karrierën me shumë suksese, Genci i ka filluar pikërisht në klubin tonë, FC Ferizaj. Për të vazhduar pastaj në ligën e Maqedonisë së Veriut, atë kohë e rrallë për një futbollist nga ligat e Kosovës.

Genci si futbollist është paraqitur në Renovë, Teteks, Shkëndijë, Rabotniçki dhe Bregalnica Stip, të gjitha këto klube në elitën e futbollit maqedonas.

Një sukses i shënuar dhe i rëndësishëm në karrierën e Genc Hysenit është edhe transferimi i tij në KF Gramozi, në Shqipëri. Atë botë, Gramozi kishte mbledhur lojtarët më të mirë nga i gjithë rajoni.

Përveç tjerash, Hyseni ka luajtur edhe në ligën e Qipros, duke mbrojtur ngjyrat e FC Ethnikos.

Kurse si Drejtor Sportiv, Genc Hyseni ka karrierë të dëshmuar, duke ngritur ekipe nga ligat më të ulëta e deri në nivele më të larta garuese. Në të kaluarën ai ka qenë drejtor edhe në klubin tonë, duke e ngritur Ferizajn në një ekip konkurues në Superligën e Kosovës.

FC Ferizaj është i lumtur që figura të rëndësishme të qytetit po i bashkohen karvanit të klubit. Bashkë me Gencin si drejtor dhe gjithë të tjerët, po synojmë ta ngrisim Ferizajn në nivele të larta të profesionalizmit.

Ne nuk kemi kufizime në ambiciet tona. Ne dëshirojmë që hap pas hapi të ngritemi deri aty ku e kemi vendin.

Superliga dhe dalja në Evropë nuk janë dëshira, por mision i përditshëm i yni, deri në realizimin e plotë të këtij misioni", njofton FC Ferizaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat