Mesfushori i Kombëtares U19: Jam në provë, po më ndihmon Ardit Toli

Futboll

Mesfushori i Kombëtares U19: Jam në provë, po më ndihmon Ardit Toli

Më: 25 janar 2024 Në ora: 12:55
Oresti Kasmollari në veprim

Oresti Kasmollari gjendet në Turqi. Iku nga Tomori në nisje të janarit, për të marrë avionin drejt Antalias. Mesfushori që luajti te beratasit për gjatë gjysmës së parë të këtij sezoni, si i huazuar nga Dinamo Citi. Me blutë vazhdon të jetë në kontratë, por është shumë pranë hapit të madh në karrierë.

Prej një periudhe 10 ditore, po stërvitet me Vorskla Poltava. Ukrainasit po kryejnë fazën përgatitore në tokën turke dhe pogradecari i është bashkuar, për t’iu nënshtruar një prove. Momentalisht ai është në pritje të një përgjigjeje nga drejtuesit e klubit të Vorsklas dhe sinjalet duket se janë të mira, pasi po shkon drejt nënshkrimit të kontratës.

Nëse gjithçka shkon sipas planit, ai bëhet futbollisti i dytë shqiptar në radhët e ekipit nga Ukraina. Pjesë e tyre është edhe Ardit Toli, ish-mbrojtësi i Tiranës. Ky i fundit ia ka bërë më të lehtë përshtatjen dhe këtë e rrëfen për “Panorama Sport” edhe 18- vjeçari.

“Largimi im nga Tomori nuk erdhi pa shkak. Një menaxher i njohur nga Kroacia, më ka ndjekur vazhdimisht në dy vitet e fundit. Jo vetëm kur isha te Dinamo, por edhe në përfaqësuesen U–19, në të gjitha ndeshjet që kam zhvilluar brenda dhe jashtë vendit. Por ai më ofroi mundësinë që të testohem te skuadra ukrainase e Vorskla Poltavës.

Unë erdha drejt e në Antalia ku skuadra do të qëndrojë një muaj deri në rinisjen e kampionatit. Këtu më kanë mirëpritur, edhe në fillim më mbytën emocionet.

Me ndihmën e Ardit Tolit gjithçka kaloi dhe m’u bë më e lehtë. Tashmë jam ambientuar. Vijoj të stërvitem dhe jam duke bërë maksimumin.

Do të jem në vëzhgim të vazhdueshëm nga stafi teknik dhe besoj që edhe ndeshjet miqësore do të jenë si një barometër për të vlerësuar aftësitë e mia.

Shpresoj ta kaloj me sukses provën dhe të nënshkruaj, pasi do të jetë padyshim një hap shumë i rëndësishëm në karrierën time, do të më japë mundësinë për t’u rritur më shumë profesionalisht dhe për të rritur ambiciet e mia profesionale në të ardhmen”, ka përfunduar mesfushori pogradecar, Oresti Kasmollari.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat