Kumbullën e duan edhe dy klube të tjera italiane

Futboll

Kumbullën e duan edhe dy klube të tjera italiane

Më: 27 janar 2024 Në ora: 11:50
Foto ilustrim

Hellas Verona ka si objektiv mbijetesën dhe për të siguruar një gjë të tillë po mendon të rikthejë në bazë Marash Kumbullën.

Mbrojtësi shqiptar qëndron jashtë fushave prej rreth 250 ditësh për shkak të operacionit në gju, teksa është rikuperuar dhe po stërvitet fort që të nisë sa më shpejt aktivizimin me Romën.

23-vjeçari shpreson të grumbullohet nga Sylvinho në Euro 2024, por për të realizuar dëshirën e madhe të pjesëmarrjes në Gjermani duhet të luajë.

Dhe një ndër opsionet më të mira për të është rikthimi te Hellas Verona, klub ku u rrit dhe debutoi në Serie A.

Drejtuesit veronezë e kanë në listën e dëshirave, por duhet arritur marrëveshja me Romën. Shtypi italian raporton se bëhet fjalë për një huazim deri në fund të sezonit.

Për Kumbullën kanë shprehur interesim edhe Genoa dhe Torino, por Hellas Verona është më e avantazhuar. Edhe prej faktit që qendërmbrojtësi e njeh mirë ambientin.

Kumbulla shkëlqeu në sezonin 2019/2020, duke zhvilluar në total 25 ndeshje në sezonin e tij të parë në Serie A. Përformancat pozitive ndikuan që të transferohej në kryeqytetin italian në edicionin pasardhës.

Bisedimet vazhdojnë dhe në ditët e ardhshme do të mësohet më shumë rreth së ardhmes së lojtarit shqiptar. Nëse do të mbetet te Roma apo do të rikthehet te Verona.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat