Sulmuesi shqiptar transferohet te Al Orobah

Futboll

Sulmuesi shqiptar transferohet te Al Orobah

Më: 31 janar 2024 Në ora: 15:51
Rubin Hebaj

Rubin Hebaj nuk do ta vazhdojë karrierën në Uzbekistan, por tashmë në Arabinë Saudite.

Skuadra e tij e radhës është Al Orobah, që konkurron në Ligën e Parë saudite, një nivel më poshtë sesa Liga Profesioniste ku luajnë Cristiano Ronaldo e Neymar.

Sulmuesi shkodran pritej që të kishte një ndryshim pas një edicioni të veçantë në Superligën uzbeke, ku në fund u shpall edhe Lojtari më i Mirë.

Ai shënoi 12 gola për skuadrën e tij, Andizhan, duke qenë shënuesi i dytë më i mirë i kampionatit, pra duke fituar Këpucën e Argjendit, pas sulmuesit serb, Dragan Çeran, që arriti në 13 rrjeta.

Gjithsesi, Hebaj, u përzgjodh si më i miri i sezonit duke merituar Topin e Artë në Uzbekistan, trofe që iu dorëzua në ceremoninë e mbylljes së vitit.

Shkodrani 25-vjeçar botoi një mesazh në faqen zyrtare të klubit, ku falenderonte klubin, shokët e ekipit dhe tifozët, si dhe lajmëronte kalimin në Arabinë Saudite.

Siç edhe shkruan në mesazh, Hebaj synon që të ngjitet sa më shpejt në elitën e futbollit saudit.

Në karrierën e tij, sulmuesi ka luajtur për Vllazninë, Partizanin e Teutën në Shqipëri, për Shkëndinë e Tetovës, si dhe në Slloveni e Ukrainë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat