Inzaghi rikthen 4 titullarë ndaj Juventusit

Futboll

Inzaghi rikthen 4 titullarë ndaj Juventusit

Më: 1 shkurt 2024 Në ora: 12:10
Allegri e Inzaghi

Koha për të pushuar ishte e gjatë dhe rigjeneruese, më shumë se 48 orë, por tani Interi ka vetëm një objektiv në mendje: Juventusin. Bardhezinjtë do të jenë mysafirë në “San Siro” të dielën, në orën 20:45, për ndeshjen shumë delikate dhe jo pak përcaktuese të titullit. Kjo për shkak se do të përballen dy kryesuesit e Serie A.

Pas suksesit të ngushtë të dielën e kaluar ndaj Fiorentinës, trajneri Inzaghi i dha skuadrës dy ditë pushim. Dje, grupi zikaltër iu rikthye punës në “Appiano Gentile”. Mungonte Juan Cuadrado, padyshim, por përveç tij skuadra punoi plotësisht nën urdhrat e trajnerit.

Pas stërvitjes së djeshme, Interi do të ketë në dispozicion edhe tri seanca stërvitore për t’u paraqitur në mënyrën më të mirë të mundshme në ndeshjen kundër Juventusit. Të enjten dhe të premten grupi do të punojë në “Appiano Gentile”, ndërsa për të shtunën, një ditë para supersfidës me bardhezinjtë, seanca është caktuar për pasdite, në “San Siro”.

Kjo për shkak se terreni e lejon. Të shtunën e kaluar në Milan-Bologna u inaugurua tapeti i ri i stadiumit, ndërsa Interi ishte në Arabinë Saudite për Superkupën e Italisë. Sa iu përket startuesve ndaj Juventusit ka pak dyshime, Inzaghi do të rikthejë formacionin fillestar.

Kjo do të thotë se në krahasim me Fiorentinën, të paktën katër lojtarë do të ndryshojnë në formacion që nga minuta e parë. Francesco Acerbi favorizohet në qendrën e mbrojtjes ndaj Stefan De Vrij, ndërsa në mesfushë Nicolò Barella dhe Hakan Calhanoglu do të kthehen në formacionin fillestar pas pezullimit të tyre në “Artemio Franchi”.

Në të majtë, Federico Dimarco do të marrë vendin e tij në krah, pas përmbysjes në Firence, kështu që Carlos Augusto do të përfundojë në pankinë. Për pjesën tjetër, formacioni është pothuajse i skicuar: Yann Sommer në portë, Benjamin Pavard dhe Alessandro Bastoni si të tretët mbrojtës, Henrikh Mkhitaryan si mesfushor i majtë dhe dyshja Lautaro Martinez-Marcus Thuram në sulm.

Po në të djathtë? Për momentin, titullar duket të jetë Matteo Darmian, i cili e nisi nga minuta e parë në katër ndeshjet e fundit të sezonit, ato në të cilat Denzel Dumfries u pa vetëm në një rast, për 30 minuta si zëvendësues.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat