Miliona euro do të arkëtojnë zikaltërit nga biletat

Futboll

Miliona euro do të arkëtojnë zikaltërit nga biletat

Më: 4 shkurt 2024 Në ora: 12:58
Pamje nga një ndeshje

Të fiksuarit pas rekordeve kanë nisur që të nxjerrin shënimet. Në pritje të sfidës Inter-Juventus për të rifreskuar të dhënat. Së pari stadiumi “San Siro” do të jetë i mbushur në çdo cep të tijin dhe nuk do të ketë vende bosh.

Kjo ndeshje do të sjellë të ardhura rekord për zikaltrit dhe do të parakalojë edhe derbin Inter-Milan, i luajtur në 16 shtatorin e kaluar kur u arkëtuan 6.3 milion euro.

Kjo shifër është e dyta më e lartë në të gjithë klasifikimin historik të arkëtimeve për ndeshje në Serinë A.

Një renditje, që sikur të jetë e bërë me dorë, pasi në vendin e parë është ndeshja InterJuventus e luajtur në tetorin e vitit 2019 dhe zikaltrit futën në arkat e tyre 6.6 milionë euro. Por ky rekord mund të rrezikohet pikërisht ditën e nesërme në mbrëmje, kur të publikohet shifra zyrtare e tifozëve prezentë në “Meazza”.

Për të qëndruar tek interesimi që ka për këtë ndeshje, sfida mes zikaltërve dhe bardhezinjve do të ndiqet thuajse në të gjithë botën. Të drejtat televizive të derbit janë të blera nga 62 kompani të ndryshme, por në fakt ndeshja do të transmetohet në 180 shtete të ndryshme. Të gjithë të ulur përpara televizorëve apo kompjuterëve për të mos humbur asnjë sekondë nga spektakli i një ndeshje që mund të vlejë sa titulli kampion në Itali.

ÇFARË IMPAKTI- Interi vjen i freskët nga finalja e Superkupës së Italisë kundër Napolit që u transmetua në 160 vende të ndryshme dhe të drejtat televizive u blenë nga 40 kompani, shifra inferiore në krahasim me duelin e së dielës, edhe pse në garë ishte një trofe i rëndësishëm dhe për herë të parë Superkupa luhej në Arabi. Inter-Juventus është gjithmonë diçka ndryshe. Dhe në fakt nuk do të ketë asnjë cep të botës që nuk transmeton këtë ndeshje. Nga Australia, në Kinë në Europë dhe Amerikë deri në arkipelagët e Karaibeve.

Është shumë e vështirë që të parashikosh realisht se sa telespektatorë do të ketë ndeshja e derbit të Italisë mes Interit dhe Juventusit, por është e sigurt që do të shihet edhe në shtete të vogla dhe ndoshta të panjohura. 22 lojtarët në fushën e lojës nuk do të bëjnë thjesht detyrat për t’i dhënë fitoren Interit dhe Juventusit, por për të prodhuar spektakël për të qenë ambasadorët e denjë të Serisë A, në një sfidë që do të ketë vëmendjen dhe sytë e gjithë botës. “San Siro”, ora 20:45 do të jetë kryeqendra e botës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat