“Sky Sport” nuk ka dyshime: Kristjan Asllani do të jetë titullar te Interi

Futboll

“Sky Sport” nuk ka dyshime: Kristjan Asllani do të jetë titullar te Interi

Më: 24 shkurt 2024 Në ora: 18:53
Kristjan Asllani

Kristjan Asllani bëhet gati për të luajtur nesër një tjetër ndeshje si protagonist nga minuta e parë në fushën e lojës me fanellën e Interit në Serinë A.

Mesfushori i Kombëtares shqiptare, parashikohet të jetë titullar në duelin e kësaj të diel në transfertë ndaj Leçes të Ylber Ramadanit, me të cilin pritet të ketë duele interesante në mesfushë.

Situata jo optimale fizike e Çalhanollu, ka bërë që trajneri Simone Inzagi të vendosë që të lërë pushim turkun për këtë sfidë, edhe pse ai do të udhëtojë me ekipin.

Sipas ”Sky Sport”, do të jetë pikërisht Asllani ai që do të mbulojë rolin e mesfushorit që nis aksionet nga thellësia, mes Fratezit dhe Mkhitarian të cilët janë dy pjesëtarët e tjerë të këtij reparti.

Asllani shihet tashmë si një zëvendësues mëse i vlefshëm për Çalhanollu dhe me kalimin e javëve, pritet të fitojë më shumë minuta me fanellën zikaltër sa herë që turku të ketë nevojë për frymëmarrje, duke pasur parasysh edhe impenjimet në shumë fronte të kësaj skuadre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat