Vllaznia ëndërron titullin

Futboll

Vllaznia ëndërron titullin

Më: 29 shkurt 2024 Në ora: 16:37
Qatip Osmani

Qatip Osmani është padyshim njeriu i momentit në Shkodër.

Në fundin e tetorit mori drejtimin e një Vllaznie të mbytur nga pesimizmi.

Paraardhësi i tij Migen Memelli kishte grumbulluar vetëm 12 pikë në 10 javë, në të cilat ishte krijuar bindja se kjo skuadër nuk ishte ndërtuar si duhet, pa organikë për objektiva të mëdhenj.

Pati një fillim aspak të lehtë, e megjithatë me qetësinë e tij diti që hap pas hapi t’i ndryshonte fytyrën një skuadre që tani ka të gjithë të drejtën të ëndërrojë rikthimin e titullit kampion.

Meritat është e natyrshme të ndahen, por te Vllaznia pjesa më e madhe e tyre i takon pikërisht trajnerit, kjo për faktin se merkato e dimrit nuk solli revolucione apo afrime të shumta, ka pak a shumë të njëjtën skuadër, ku askush nuk besonte se do të bënte diçka të madhe, por tani gjendet në vendin e dytë të klasifikimit, e madje mund të kërcënojë Egnatian kryesuese.

Padyshim meritë e një trajneri që ka vlerësuar të gjithë lojtarët, duke nisur nga sulmi me Bekim Balajn që kishte nisur të shihej si ish-futbollist, por tani po shkëlqen me golat e tij, apo Ildi Gruda që me të në stol po përjeton sezonin më të mirë të karrierës. Gjithçka e arritur nëpërmjet lojës së grupit, shumë më solid e i bindur në aftësitë e tij.

Në Shkodër kanë nisur të besojnë se është pikërisht ky viti i duhur për të rikthyer titullin në kryeqendrën e veriut, dhe pikërisht falë teknikut 3 herë kampion i Maqedonisë së Veriut, që pa shumë bujë e me qetësinë e tij ka ditur të ndërtojë një Vllazni fituese, atë që të gjithë prisnin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat