Presidenti i FIA-s akuzohet se ka ndikuar në rezultatin e një gare

Futboll

Presidenti i FIA-s akuzohet se ka ndikuar në rezultatin e një gare

Më: 5 mars 2024 Në ora: 14:28
Mohammed Ben Sulajem

Presidenti i FIA-s, Mohammed Ben Sulajem, thuhet se është nën hetim për përpjekje për të ndikuar në rezultatin e një gare sezonin e kaluar. “BBC” ka patur akses në një raport të hartuar nga një menaxher i pajtueshmërisë i Federatës, drejtuar Komitetit të Etikës, i cili flet për një ndërhyrje nga Ben Sulajem për të revokuar një dënim prej 10 sekondash të vendosur ndaj Fernando Alonsos në garën e Arabisë Saudite, më 19 mars 2023.

Raporti citon një burim anonim, sipas të cilit Ben Sulajem telefonoi Sheikh Abdullah bin Hamad bin Isa Al Khalifa, nënkryetar i FIA-s për sportin në rajonin e Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Veriut.

Ky i fundit ishte në Arabinë Saudite për garën në cilësinë e zyrtarit, duke e informuar se, sipas tij, dënimi duhet të revokohet. Sipas “BBC”, do të duhen 4 deri në 6 javë që Komisioni i Etikës të hartojë një raport mbi rastin.

Mirëpo çfarë ndodhi në atë garë. Alonso kishte marrë një dënim fillestar prej 5 sekondash për vendosjen e makinës së tij pjesërisht jashtë zonës së nisjes në fillim të garës.

Spanjolli e kishte shlyer dënimin në “pit stop” e parë, por më pas pësoi një penallti të dytë (këtë herë 10 sekonda), sepse mekanikët e kishin prekur makinën në pjesën e pasme me një mjet pune gjatë atyre 5 sekondave.

Neni 54.4-c i Rregullores Sportive thotë: “Ndërsa një makinë ndalohet në korsi për shkak të një sanksioni sipas neneve 54.3-a ose 54.3-b, ajo nuk mund t’i nënshtrohet ndërhyrjeve derisa makina të ketë mbetur e palëvizshme gjatë gjithë kohëzgjatjes së sanksionit”.

Në fund të garës, sanksioni i dytë në fakt ishte revokuar (sipas kërkesës së pretenduar të Ben Sulajemit) sepse nuk kishte qartësi të mjaftueshme në rregullore, nëse thjesht prekja e makinës sillte shkelje. Pas këtij incidenti, rregullores iu shtua një fjali tjetër:

“Në këtë kontekst, prekja me duar e makinës, apo e pilotit, apo mjeteve apo pajisjeve përbën punë”.

Falë revokimit, Alonso konfirmoi vendin e tretë që kishte fituar në pistë, por që do të kalonte në të katërtin, duke i hapur krahun Mercedes të Xhorxh Rassellit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat