Partizani reagon me goleadë dhe thellon krizën e Erzenit

Futboll

Partizani reagon me goleadë dhe thellon krizën e Erzenit

Më: 10 mars 2024 Në ora: 16:28
Pamje nga ndeshja

Partizani reagon pas eliminimit nga Kupa e Shqipërisë, duke fituar tre pikë të rëndësishme në transfertë përballë Erzenit në kampionat. “Demat” mposhtin 4-0 shijakasit në Rrogozhinë në sfidën që hapi javën e 27-të të Superiores.

“Të kuqtë” shënojnë nga dy gola për çdo pjesë, duke marrë një fitore të thellë 4-0 përballë një kundërshtari të fortë.

Hadroj pengohet në zonë dhe për gjyqtarin Barjamaj ka penallti për Partizanin. Nga pika e bardhë godet Cara, që kalon në avantazh miqtë pas 15 minutave lojë. Erzeni mundohet të reagojë, por janë sërish miqtë ata që gjejnë rrugën e rrjetës, kësaj radhe me Mba. Shijakasit protestojnë për një penallti të padhënë, por pjesa e parë mbyllet me rezultatin 2-0.

Pjesa e dytë ka ritëm dhe janë shijakasit ata që sulmojnë në kërkim të golit që mund të rihapë ndeshjen. Partizani i afrohet golit të tretë me Binsuka, por gjuajtja e tij ndalet në shtyllë. Preka ndëshkohet me karton të kuq në minutën e 77-të duke lënë me 10 lojtarë në fushë Partizanin. Ndonëse me një lojtar më pak “demat” arrijnë të shënojnë edhe dy gola të tjerë. Atanaskoski gjen rrugën e rrjetës, ndërsa Binsuka plotëson pokerin e golave.

Partizani merr një fitore të çmuar dhe ngjitet në kuotën e 46 pikëve (aq sa Vllaznia, që ka një ndeshje më pak), ndërsa Erzeni mbetet në vendin e parafundit dhe tashmë rrezikon seriozisht rënien nga kategoria.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat