Hidhet shorti i gjysmëfinaleve të Kupa së Shqipërisë

Futboll

Hidhet shorti i gjysmëfinaleve të Kupa së Shqipërisë

Më: 12 mars 2024 Në ora: 11:10
Foto ilustrim

Është hedhur paraditen e të martës shorti për fazën gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë, aty ku Vllaznia, Egnatia, Tirana dhe Kukësi janë skuadrat e mbetura ende në garë për të ngritur lart trofeun e dytë më të rëndësishëm në vend.

Në fazën gjysmëfinale Kukësi do të përballet me Tiranën, me sfidën e parë që do të zhvillohet në “Kukës Arena”, ndërsa Egnatia do të përballet me Vllazninë, me ndeshjen e parë që do të luhet në Rrogozhinë.

Një përballje mjaft interesante kjo mes rrogozhinasve dhe Vllaznisë, dy skuadra që momentalisht mbajnë vendin e parë dhe të dytë në kampionat dhe do të duelojnë deri në fund edhe për titullin kampion.

Nga ana tjetër, Kupa mbetet një dritare Europe për Kukësin, që është me një këmbë në Kategorinë e Parë, por edhe për Tiranën, ndonëse bardheblutë janë pranë edhe vendit të katërt, që do t’i lejonte të garonin në “Final Four” për titullin kampion.

Sfidat e para gjysmëfinale do të luhen më 3 prill, ndërsa ndeshjet e kthimit tri javë më vonë, më 24 prill, për të kulmuar më pas me finalen e madhe.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat