Dy emra në listën e PSG-së

Futboll

Dy emra në listën e PSG-së

Më: 14 mars 2024 Në ora: 16:58
Mbappe

Sulmuesi i Liverpoolit, Luis Diaz ka dalë në skenë si një objektiv i merkatos së verës për Paris St. Germain.

Me ikonën Kylin Mbappe të destinuar për t’u bashkuar me Realin e Madridit, kryesuesit e Ligue 1 po studiojnë tregun për lojtarë me potencialin për të zëvendësuar kapitenin.

Diaz, për të cilin u paguan 37 milionë paund nga Porto, është nën kontratë deri në vitin 2027. Dhe kolumbiani duket i lumtur në Anfield. Ai ka patur një periudhë të turbullt ku i është dashur të përballet me pengmarrjen e babait të tij.

Dhe Liverpooli ka luajtur një rol të madh duke iu gjendur pranë familjes së tij. PSG ka fuqinë financiare për të propozuar një ofertë të rëndësishme, por te The Reds hezitojnë për të humbur një komponent thelbësor për linjën e tyre sulmuese.

Jurgen Klopp ka një lidhje të fortë me kolumbianin dhe te PSG e dinë se largimi i trajnerit është një zhvillim i rëndësishëm që mund të ndryshojë edhe fatin e Diaz në verë.

Gjithsesi në Anfield duan të evitojnë çdo shpërqendrim gjatë muajve të fundit të gjermanit në drejtim, teksa skuadra është në kërkim të trofeve. Për PSG-në, Marcus Rashford është një tjetër lojtar që ka përfunduar në listën e merkatos.

Por edhe te Manchester United hezitojnë të humbasin sulmuesin e rritur në shtëpinë e tyre, edhe pse kanë kuptuar se diçka duhet të ndryshojë në karrierën e tij për të rigjetur formën më të mirë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat