Neymar gati t’i paguajë garancinë e lirimit Dani Alves

Futboll

Neymar gati t’i paguajë garancinë e lirimit Dani Alves

Më: 20 mars 2024 Në ora: 17:22
Neymar e alves

Këtë të martë u publikua lajmi se Gjykata e Barcelonës pranoi të lirojë futbollistin brazilian Dani Alves me garancinë pasurore prej një milion eurosh, ndërsa është regjistruar apelimi ndaj dënimit të tij me 4 vite e gjysmë burg nga shkalla e parë për përdhunimin e një të reje në një klub nate.

Në këtë mënyrë, braziliani do të mund të largohet nga burgu “Brians 2”, ku është i burgosur që prej 20 janarit 2023, sapo të depozitojë një milion euro dhe të dorëzojë dy pasaportat (braziliane dhe spanjolle).

Për ta bërë këtë, njerëzit e ish-mbrojtësit të Barcelonës janë mbështetur te Neymar, ish-bashkëlojtari i tij te Blaugranët, ​​PSG dhe kombëtarja braziliane.

Sipas “La Vanguardia”, babai i Neymarit do të jetë ai që do të paguajë shumën e lirimit me kusht të Dani Alves.

Këtë e kanë konfirmuar për gazetën katalanas burime pranë ish-futbollistit.

Neymar ka qenë mik i Dani Alves që kur u takuan në Barcelonë dhe, nëpërmjet babait të tij do të paguajë garancinë prej një milion eurosh, pasi Alves i ka të ngrira llogaritë.

Dani Alves tashmë i është drejtuar Neymarit dhe babait të tij për të paguar 150 mijë eurot që gjykata hetuese kërkoi për dëmshpërblimin e viktimës së sulmit seksual dhe që shërbeu si rrethanë lehtësuese për uljen e dënimit në 4 vite e gjysmë.

Babai i Neymar ishte përgjegjës për transferimin e parave për ta ndihmuar palën mbrojtëse të Dani Alves.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat