​Nisin punimet në stadiumin e Shtimes, synohet të përfundohen brenda një viti

Futboll

​Nisin punimet në stadiumin e Shtimes, synohet të përfundohen brenda një viti

Më: 21 mars 2024 Në ora: 14:35
Foto nga vendi i ngjarjes

Punimet për zgjerimin e stadiumit të Shtimes kanë filluar sot, projekt ky i cili po synohet të përfundohet brenda këtij viti.

Ky projekt, i cili përfshin ndërtimin e zhveshtoreve të reja, tribunave të reja dhe të gjithë infrastrukturës përcjellëse, do të financohet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS).

Zëvendës-ministrja e MKRS-së, Daulina Osmani së bashku me kryetarin e Shtimes, Qemajl Aliu vizituan sot stadiumin e kësaj komune, me rastin e fillimit të punimeve për zgjerimin dhe renovimin e tij.

Zëvendësministrja Osmani për KosovaPress, tha se qëllimi i kësaj vizite ishte për të parë punën e operatorit ekonomik deri tani, si dhe për sigurimin e mbështetjes nga të dyja nivelet institucionale, respektivisht MKRS-së dhe Komunës së Lipjanit.

Osmani: Sot po fillojnë punimet e zgjerimit dhe renovimit të stadiumit të qytetit të Shtimes

“Sot po fillojnë punimet e zgjerimit dhe renovimit të stadiumit të qytetit të Shtimes, projekt ky i përbashkët me Komunën e Shtimes, i financuar nga ministria në vlerë prej 2.4 milionë euro, ku parashihet, siç edhe po shihet fusha aktualisht ka përjetuar një rinovim në aspekt të barit, mirëpo parashihet zgjerimi me zhveshtoret, me pjesët përcjellëse, me tribunat për tifozët, andaj edhe kemi ardhur me e pa punën e operatorit ekonomik, me i uruar punë të mbarë, edhe për t’u siguruar për mbështetje nga të dyja nivelet, për zhvillimin e këtij projekti në afatet e parapara edhe në kuadër të kontratës që është nënshkruar para pak javësh", tha Osmani.

Ndërkaq, kryetari i Shtimes, Qemajl Aliu tha për KosovaPress, se fillimi i punimeve për renovimin dhe zgjerimin e stadiumit është një ngjarje shumë e rëndësishme, investim ky që kjo komunë nuk e ka përjetuar asnjëherë.

Kryetari Aliu tha se nga e hëna do të fillohet puna e punimeve me një dinamikë të shpejtuar, pasi që po synohet që ky projekt të finalizohet brenda këtij viti.

Aliu: Po synohet që brenda vitit ky projekt të jetë i realizuar

“Është një ngjarje shumë e rëndësishme për Komunën e Shtimes, për sportdashësit në Komunën e Shtimes, por jo vetëm. Po bëhet një investim që Komuna e Shtimes nuk e ka përjetuar asnjëherë, falë mbështetjes nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit sot jemi këtu bashkë me zëvendës-ministren për të parë koordinimin që do të bëhet mes klubit futbollistik Vjosa, komunës dhe operatorit për të filluar punët pa humbur kohë. Ju e dini që ky projekt tashmë është finalizuar në aspektin e përzgjedhjes së operatorit dhe me sa e kuptuam nga e hëna do të fillojë një punë me një dinamikë të shpejtuar, me synimin që brenda një viti ky projekt të jetë i realizuar dhe të jetë në shërbim të sportdashësve dhe kryesisht të futbollistëve të Komunës së Shtimes, futbollistë që po na bëjnë krenarë me rezultatet që kanë arritur. Jemi kampionë vjeshtor si klub futbollistik Vjosa në Ligën e Parë me pretendimin për të shkuar drejt Superligës. Realisht kushtet iu kanë munguar si klub, por sukseset nuk iu kanë munguar, kështu që unë personalisht bashkë me zëvendësministren dhe me krejt ekipin e komunës por edhe të ministrisë jemi të kënaqur që këtyre sukseseve të klubit po iu shkojmë mbrapa edhe me një infrastrukturë moderne e munguar, por gjithsesi e merituar plotësisht”, tha Aliu.

Para dy javësh, stadiumi i qytetit në Shtime u bë me bar sintetik, projekt ky i cili u bashkë-financua nga Komuna e Shtimes dhe Federata e Futbollit të Kosovës (FFK), dhe që e kap vlerën e 250 mijë eurove. Ndeshjet në këtë stadium i zhvillon skuadra e Vjosës, e cila u shpall kampione vjeshtore në Ligën e Parë të Kosovës, dhe është kandidate serioze për t’u inkuadruar në futbollin elitar, respektivisht në Superligën e Kosovës. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat