Malisheva U21 luajti pa mjek e pa fizioterapeut, Gjilani fiton në tavolinë

Futboll

Malisheva U21 luajti pa mjek e pa fizioterapeut, Gjilani fiton në tavolinë

Më: 3 prill 2024 Në ora: 12:59
Malisheva U21

Komisioni i Garave i Federatës së Futbollit të Kosovës e ka miratuar si të bazuar ankesën e SC Gjilani U-21 për ndeshjen me Malishevën U-21, në kuadër të xhiros së 19-të të ligës U-21.

Gjilanasit ishin ankuar se kundërshtari, i cili e fitoi lojën 2:1 në fushën e blertë, e zhvilloi ndeshjen pa mjek dhe pa fizioterapeut, duke bërë shkelje të nenit 54 të Rregullores së Garave.

“MIRATOHET si e bazuar ankesa e SC Gjilani U21 nga Gjilani dhe ndeshja e javës së 19-të e Superligës U-21 në mes të SC Gjilani – FC Malisheva regjistrohet me rezultat zyrtar 3:0 në favor të SC Gjilani”, njofton Komisioni i Garave.

“Gjatë administrimit të ankesës, si dhe shkresave u kostatua se në protokollin zyrtar të ndeshjes ka qenë i shënuar emri i mjekut Besim Suka (009174M86 ), por i cili nuk ka qenë i pranishëm në ndeshje e kjo dëshmohet nga protokoli zyrtar i dërguar para fillimit të ndeshjes dhe precizohet edhe në raportin plotësues të delegatit të ndeshjes. Pasi që u konstatua që kemi shkelje të nenit 54 të Rregullores së Garave, janë përmbushur të gjitha kushtet që të miratohet ankesa si e bazuar e SC Gjilani U-21 dhe ndeshja e javës së 19-të në Bon Voyage Superligën U21, SC Gjilani – FC Malisheva, regjistrohet me rezultat 3:0 në favor të SC Gjilani U-21.

Nga theksimet e lartëshënuara u vendos si në dipozitiv të këtij vendimi”, shkruan tutje në njoftimin e Komisionit të Garave.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat