Osmani: E pranueshme një pikë, por na është afruar vendi i katërt

Futboll

Osmani: E pranueshme një pikë, por na është afruar vendi i katërt

Më: 6 prill 2024 Në ora: 19:37
Qatip Osmani

Trajneri I Vllaznisë, Qatip Osmani, është shfaqur sot para mediave në konferencën për shtyp, duke analizuar situatën e skuadrës së tij para sfidës së rëndësishme me Partizanin, rivalin direkt për vendin e dytë në renditje.

“Pas humbjes me Egnatian, ndoshta më shqetësuese janë problemet e dëmtimeve, edhe të vogla. Por besoj se edhe lojtarët që kanë pasur probleme këto tre ditë, do të jenë të gatshëm për të luajtur. Vetëm Smajli është në diskutim, do të udhëtojë me ne dhe sot do e shohim në stërvitje.

Ndeshja është me rëndësi, një lojë derbi, ku përveç rezultatit pozitiv, është edhe ana e prestigjit. Ndaj gjatë ditëve, lojtarët janë të motivuar dhe janë të vetëdijshëm se rezultati pozitiv na mban e ndoshta na jep një përparësi deri në fund të kampionatit.

Në këtë situatë që jemi, nuk është e arsyeshme të orientohesh për një pikë. Por sigurisht edhe pozitat tona, të Vllaznisë e Partizanit, sigurisht e bëjnë të pranueshme edhe një pikë. Por e thashë që është një lojë ku mendimi im është se nuk duhet të orientohemi shumë në mbrojtje, do të varet prej ecurisë në ndeshje.

Kemi pasur edhe disa mbledhje në këtë drejtim. Sigurisht, është evidente që ne ndoshta problemin më të madh e kishim në këto ndeshje për disa lojtarë jashtë forme. Por mendoj se është e kalueshëm dhe për nesër duhet sigurisht që të ndjekim rezultat pozitiv, të marrim më të mirën.

Ndeshja në “Air Albania”? Mendoj se një ndër faktorët e rëndësishëm për një lojë apo për ekipin është edhe fusha e mirë. Ne çdo herë e kemi përmendur punën e fushës që është me rëndësi për Vllazninë të jetë fushë e mirë, se është ndër faktorët e rëndësishëm se çfarë loje do të bëhet.

Praninë e tifozëve e shoh si element pozitiv. Unë shpeshherë e kam përmendur punën e tifozëve se edhe shumica e lojtarëve janë mësuar me tifozë në stadium dhe mbështetje janë edhe ato.

Ne po mundohemi të dalim sa më shpejt nga kjo situatë, edhe pse në tabelë, jo se nuk ka ndikuar, por është shkurtuar diferenca që kishim me vendin e katërt. Kemi punuar në këtë drejtim që të kalojmë sa më shpejt këtë situatë që kemi”, tha ndër të tjera Osmani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat