Kundër Partizanit edhe për prestigj

Futboll

Kundër Partizanit edhe për prestigj

Më: 7 prill 2024 Në ora: 12:09
Trajneri Qatip Osmani

Trajneri Qatip Osmani paralajmëron se të kuqtë nuk do të luajnë për një pikë

Vllaznia do të kërkojë kthimin te fitorja përballë Partizanit në Arenën Kombëtare në Tiranë të dielën. Edhe një pikë do të kishte vlera, por trajneri Osmani thotë se skuadra luan edhe për prestigj përballë një kundërshtari me vlera.

Vllaznia do të dalë për pikë por edhe për prestigh në fushë kundër Partizanit të dielën në Arenën Kombëtare në Tiranë. Pas humbjes së pësuar nga Egnatia në Kupë, është e rëndësishme për kuqeblutë e trajnerit Qatip Osmani që të rikthejnë besimin te vetja e të kërkojnë më të mirën përballë të kuqve.

“Pas humbjes me Egnatian, ndoshta më shqetësuese janë problemet e dëmtimeve. Por besoj se edhe lojtarët që kanë pasur probleme këto tri ditë, do të jenë të gatshëm për të luajtur. Vetëm Smajli është në diskutim. Ndeshja është me rëndësi, ku përveç rezultatit pozitiv, është edhe ana e prestigjit. Lojtarët janë të motivuar dhe të vetëdijshëm se rezultati pozitiv na mban e ndoshta na jep një përparësi deri në fund të kampionatit”.

Vllaznia në vendin e dytë ka tri pikë më tepër se Partizani dhe një pikë mund t’iu volitet të dyve, megjithatë Osmani thotë se skuadra e tij nuk do të mendojë për lojë mbrojtëse.

“Në këtë situatë që jemi, nuk është e arsyeshme të orientohesh për një pikë. Por sigurisht edhe pozitat tona, të Vllaznisë e Partizanit, e bëjnë të pranueshme edhe një pikë. Por e thashë që është një lojë ku mendimi im është se nuk duhet të orientohemi shumë në mbrojtje”.

Ndeshja do të luhet në Arenën Kombëtare dhe Osmani e sheh si pozitive për kuqeblutë që do të luajnë në një fushë të mirë, ndërkohë që në Tiranë nuk do t’u mungojë as përkrahja e tifozëve të shumtë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat