Paqe në “Air Albania” mes Partizanit dhe Vllaznisë

Futboll

Paqe në “Air Albania” mes Partizanit dhe Vllaznisë

Më: 7 prill 2024 Në ora: 22:15
Pamje nga ndeshja

Partizani dhe Vllaznia dhuruan një barazim pa gola në “Air Albania”, në ndeshjen e javës së 30-të të Superiores.

Në një ndeshje pa shumë raste, si kryeqytetasit ashtu dhe shkodranët nuk arritën dot që të gjenin rrugën e rrjetës.

Pjesa e parë ishte më e mirë për Partizanin që pati disa mundësi të mira për shënim, ndërkohë që Vllaznia ishte më e kujdesshme mbrapa dhe priste mundësinë e kundërsulmeve. Në të 31-tën “demat” patën dhe mundësinë më të mirë për të shënuar me kapitenin Arinaldo Rrapaj, i cili goditi bukur brenda zone, por topi u ndal në shtyllë. Në të 37-ën Vllaznia u kundërpërgjigj me Alivodën, i cili u ndal nga Qarri.

Pjesa e dytë ishte akoma dhe më e vakët, me skuadrat që më tepër menduan për të mos pësuar sesa për të shënuar. Si Orges Shehi ashtu dhe Qatip Osmani bënë zëvendësimet e tyre duke tentuar të marrin maksimumin, por në fund nuk marrin më shumë se një pikë.

Një barazim që i mban pozicionet e pandryshuara, me Vllazninë në vendin e dytë me 51 pikë dhe Partizanin në vendin e tretë me 48 pikë. Ky barazim I vlen më tepër Egnatias, që ka mundësinë për tu shkëputur akoma dhe më tepër në vendin e parë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat