Barcelona dhe PSG dhanë një mesazh të fortë kundër racizmit në mbështetje të 16-vjeçarit Lamine Yamal, viktimë e një komenti të papërshtatshëm nga ana e German Burgos, ish-asistent i Diego Simeones, i famshëm për temperamentin e tij dhe në të kaluarën, tanimë në rolin e analistit televiziv.
Pas ndeshjes në “Parc de Princes” rrjeti televiziv Movistar nuk mundi të intervistonte asnjë nga lojtarët.
Një vendim i fortë ky i të dy klubeve që protestuan në këtë mënyrë kundër komentit të Burgos. Ish-zëvendësi i Simeones në emisionin para sfidës teksa po komentonte lëvizjet e Yamal gjatë nxehjes u shpreh:
“Kujdes se futbolli është si jeta. Nëse nuk bën mirë, rrezikon të përfundojë në semafor”.
Një batutë diskriminuese që nuk u prit aspak mirë nga Barcelona, që vendosi të bojkotojë kanalin, veprim ky që u imitua për solidaritet edhe nga PSG, me Burgos që më pas u shpreh.
“Nuk doja të fyeja askënd, përkundrazi do të doja të kisha dhe unë cilësitë e Yamal. U tregova mendjelehtë, këto kohë të duhettë bësh shumë kujdes që të mos keqkuptohesh”.
Në mbrëmjen e së mërkurës, ndërkohë u pa dhe një shembull i keq i tifozëve në sektorin e miqve, ku u panë nga tifozë të Barcelonës përshëndetje naziste, si dhe gjeste duke imituar majmunin që ju ishin drejtuar tifozëve parizienë.