Shpëtim Bokshit në pranverën e 2013-s, iu ngrit aktakuza për vjedhje të energjisë.
Prokuroria, duke u bazuar në verifikimin e njësorit elektrik të bërë në Qendrën e Kalibrimit të KEDS-it, kishte ngritur akuzën se Bokshi kishte dëmtuar pllombat e njësorit, raporton KTV.
Edhe pse ato kishin qenë në rregull në momentin e tërheqës së njësorit nga biznesi i tij.
Megjithëkëtë, ai ishte shpallur i fajshëm nga Gjykata Themelore në Gjakove si dhe ajo e Apelit.
Mirëpo, avokati i Bokshit, Teki Bukoshi, e kishte dërguar lëndën në Gjykatën Supreme, e cila e kishte kthyer në pikën zero, nga ku ishte kërkuar riverifikimi i njësorit.
Kësaj radhe, në Qendrën e Kalibrimit të Agjencisë së Metrologjisë.
Kohavisoni ka siguruar një shkresë, të Agjencisë së Metrologjisë, e cila tregon se në rastin e parë të verifikimit nuk kishin qenë prezentë në tërheqjen e njësorit nga klienti.
Për këtë, e kishin mohuar konstatimin e KEDS-it, duke thënë se ishte shkelur ligji që në fillim të procesit.
E me riverifikimin e bërë këtë herë nga agjencia, Gjykata Themelore në Gjakovë ka treguar se është shpallur i pafajshëm Bokshi, por nuk kanë pranuar të deklarohen lidhur me gjykimin e parë.
Bokshi për këtë ishte gjobitur nga KEDS-i në vlerë të 10 mijë eurove.
Zyrtarët e KEDS-it nuk kanë dhënë përgjigje kur janë pyetur për këtë rast.
Kohavisioni ka raportuar në të kaluarën se vetëm gjatë vitit 2017 dhe 2018, janë mbi 3000 qytetarë, të cilëve u është ngritur akuza për vjedhje të energjisë.
Kjo ishte bërë, edhe përkundër që ekspertët e Agjencisë së Metrologjisë nuk kishin qenë të pranishëm në tërheqjen e njësorëve dhe në verifikimin e tyre.