Mësimdhënësja po kërkon kompensimin për ushqim gjatë punës nga Drejtoria e Arsimit në Gjakovë

Gjakova

Mësimdhënësja po kërkon kompensimin për ushqim gjatë punës nga Drejtoria e Arsimit në Gjakovë

Më: 28 shtator 2020 Në ora: 15:11
Gjakovë

Të hënën, në Gjykatën Themelore në Gjakovë, është mbajtur seanca përgatitore, në rastin ku paditësja Drita Hima po kërkon kompensim për ushqim në shumën prej 994 euro, nga Drejtoria e Arsimit në Komunën e Gjakovës.

I autorizuari i paditëses, avokati Dardan Morina deklaroi se mbetet pranë padisë dhe kërkesës së saj, ashtu që në shqyrtim kryesor të administrohen provat me anë të së cilave do të vërtetohet se paditësja është mësimdhënëse në SH.M.F.U “Dëshmorët Lleshi” në Doblibare të Gjakovës, e cila vërtetohet me vërtetimin dorëzuar gjykatës.

Ai shtoi se paditësja fillimisht përmes kërkesës i është drejtuar Komunës së Gjakovës për kompensimin e shujtave dhe e njëjta ka kthyer përgjigje, me anë të së cilës nuk e kanë kontestuar kërkesën, mirëpo deri tash nuk e kanë kryer obligimin e tyre, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, në seancë nuk ka qenë prezent përfaqësuesja e Komunës së Gjakovës, për të cilën gjykatësi Besnik Bislimaj tha se ka qenë e ftuar në mënyrë të rregullt, por që mungesën e saj nuk e ka arsyetuar.

Seanca e radhës është caktuar që të mbahet më 22 tetor.

Sipas padisë së parashtruar më 2 dhjetor 2019, paditësja Drita Hima po kërkon kompensim për ushqim gjatë punës nga e paditura, Drejtoria e Arsimit në Komunën e Gjakovës.

Sipas padisë, paditësja është mësimdhënëse në SH.F.M.U “Dëshmorët Lleshi”, në Doblibare të Gjakovës, ku e njëjta ka punuar dhe vazhdon të punojë në këtë institucion, e që duke e llogaritur këtë periudhë kohore asaj i ka takuar e drejta për kompensim të ushqimit në punë, për një ditë pune në shumën prej 2 euro në bazë të Kontratës Kolektive të Arsimit në Kosovë, e datës 18.04.2017.

Sipas padisë, në nenin 35 paragrafi 7 të kontratës së lartcekur thuhet se “të punësuarve, u sigurohet kompensimi për ushqim gjatë punës, për ditët e pranisë në punë. Vlera e kompensimit të shpenzimeve të ushqimit në punë, për një ditë pune është 2 euro për të punësuarit të cilët kanë marrëdhënie pune primare në institucionet arsimore..”, por kjo e drejtë nuk iu ka njohur asnjëherë prej ditës së nënshkrimit, përkatësisht hyrjes në fuqi të kësaj kontrate me 18 prill 2017, deri në momentin e parashtrimit të kësaj padie nuk i është paguar shuma e lartcekur nga Drejtoria Komunale e Arsimit në Gjakovë.

Andaj, po kërkon nga Gjykata Themelore në Gjakovë që të nxjerrë aktgjykim me anë të së cilit do të obligohej e paditura që paditëses në emër të kompensimit për ushqim për një ditë pune për periudhën kohore 17.04.2017 deri më 31.12.2019, dhe atë për 497 ditë pune gjithsej shumën e përgjithshme prej 994 euro, me kamatë ligjore prej 8% që nga dita e hyrjes në fuqi të Kontratës Kolektive të Arsimit, e deri në pagesën përfundimtare brenda afatit prej 15 ditësh pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit, nën kërcënim të ekzekutimit të dhunshëm të përmbarimit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat