Drejtori i urbanizmit në Gjakovë dhe bashkëpunëtori profesional dënohen me burg e gjobë për korrupsion

Gjakova

Drejtori i urbanizmit në Gjakovë dhe bashkëpunëtori profesional dënohen me burg e gjobë për korrupsion

Më: 1 qershor 2021 Në ora: 15:57
Seanca

Gjykata Themelore në Gjakovë e ka dënuar me 1 vit e 3 muaj burgim dhe 3,000 euro gjobë drejtorin e urbanizmit në Komunën e Gjakovës, Arben Bakalli, për keqpërdorim detyre. Për veprën e njëjta, ish-arkitektin, tash bashkëpunëtor profesional në këtë drejtori, Agron Gojani, gjykata e ka dënuar me 1 vit burgim dhe 2,000 euro gjobë.

Aktgjykimi është shpallur të martën, nga gjykatësi Mentor Bajraktari, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Të njëjtit gjobat janë të obliguar që t’i paguajnë në afat prej një muaji nga dita e plotfuqishmërisë së aktgjykimit. Në të  kundërtën, gjykatësi tha se dënimi me gjobë do tu zëvendësohet me dënim me burg, duka ua llogaritur 20 euro një ditë burg.

Ndaj të akuzuarve është shqiptuar edhe dënimi plotësues, ashtu që të dyve u ndalohet ushtrimi i funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik në kohëzgjatje prej 2 vitesh.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, e ngritur më 18 qershor 2020, Agron Gojani akuzohej se më 12 shkurt 2018, në cilësinë e personit zyrtar, arkitekt në Drejtorinë për Urbanizëm në Komunën e Gjakovës kishte keqpërdorur detyrën e tij zyrtare, duke tejkaluar kompetencat e tij me qëllim që t’i sillte dobi pasurore Teuta Bakijës, si dhe t’i shkaktonte dëm Komunës së Gjakovës.

Sipas aktakuzës, ai këtë e kishte bërë në atë mënyrë që duke vepruar në kundërshtim me Ligjin për Ndërtim dhe Udhëzimin Administrativ 06/2017, me të cilin edhe pse paraprakisht i kërkohej bashkimi i parcelave para fillimit të procedurave për leje ndërtimi, i akuzuari kishte aprovuar kërkesën për kushte ndërtimore, duke lëshuar vendim me të cilin kishte aprovuar kërkesën për ndërtimin e objektit kolektiv me etazhitet B+P+8+KSH në gjashtë parcela kadastrale të familjes Bakija, në kundërshtim me planin urbanistik “Revidimi i Kompleksit Orize1/18 Gjakovë” të miratuar nga Kuvendi Komunal në Gjakovë. Aty thuhet se zona në fjalë, sipas projektit të komunës, ishte e paraparë të jetë zonë gjelbëruese gjatë gjithë segmentit rrugor deri tek tyrbja “Shën Shefqeti”.

Për këtë, ai akuzohej për veprën penale “keqpërdorimi i pozitës zyrtare apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1, pika 2.1 të KPRK-së.

Arben Bakalli akuzohej se më 12 shkurt 2018, në cilësinë e Drejtorit në Drejtorinë për Urbanizëm Gjakovës kishte keqpërdorur detyrën e tij zyrtare, duke tejkaluar kompetencat e tij me qëllim që t’i sillte dobi pasurore Teuta Bakijës, si dhe t’i shkaktonte dëm Komunës së Gjakovës.

Sipas aktakuzës, ai këtë e kishte bërë në atë mënyrë që duke vepruar në kundërshtim me Ligjin për Ndërtim, pasi kishte nënshkruar vendim mbi kushtet ndërtimore sipas kërkesës së datës 29 dhjetor 2017 për ndërtimin e objektit kolektiv të lartcekur, më 28 mars 2018 kishte lëshuar vendimin për leje ndërtimore në kundërshtim me planin urbanistik.

Për këtë, ai akuzohej për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 paragrafi. 1 pika 2.1. 

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat