Dy organizata kritikojnë veprimet kundër Dragica Gashiqit

Gjakova

Dy organizata kritikojnë veprimet kundër Dragica Gashiqit

Më: 8 korrik 2021 Në ora: 20:02
Dragica Gashiq

Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë dhe Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut kanë shprehur shqetësim në lidhje me rastin e Dragica Gashiqit dhe mohimin e së drejtës së saj për t'u kthyer në Gjakovë.

Dragica Gashiq, më 6 qershor të këtij viti, është kthyer në Gjakovë, si personi i parë nga komuniteti serb që është kthyer në këtë qytet, pas luftës së vitit 1999, kur ajo ishte zhvendosur nga aty.

Komuna e Gjakovës ka dorëzuar një padi në Gjykatën Themelore të Gjakovës, me anë të së cilës kërkohet "anulimi i kontratës për dhënien me qira të banesës me kërkesë për masë të përkohshme”, për Dragica Gashiq.

Vendimin për dhënien e banesës Dragica Gashiqit, më 1997, në kohën e pushtetit serb, e kishte marrë Kuvendi i atëhershëm Komunal i Gjakovës. Banesa i ishte dhënë me qira, për një periudhë të pacaktuar kohore, thuhet në kontratën e publikuar nga subjekti politik, Alternativa i Mimoza Kusari-Lila, e cila është pjesë e ekzekutivit.

"Ne besojmë se veprime të tilla janë në kundërshtim me ligjin në fuqi dhe nuk janë në frymën e Kushtetutës, përkatësisht me nenin 156 i cili thotë: Republika e Kosovës promovon dhe lehtëson kthimin e sigurt dhe me dinjitet të refugjatëve dhe personave të zhvendosur brenda vendit, dhe u ndihmon atyre për kthimin e pronave dhe posedimeve të tyre", thuhet në reagimin e Fondit për të Drejtën Humanitare dhe Nismës Rinore për të Drejtat e Njeriut.

Këto organizata shtojnë se Gashiq e posedon dokumentacionin e nevojshëm për "të drejtën e saj për të shfrytëzuar pronën” që i është konfirmuar asaj përmes një vendimi të Agjencisë për Verifikimin e Pronës në Kosovës.

“Ne besojmë se situata e krijuar si rezultat i kthimit të saj si dhe ndërmarrja e veprimeve ligjore në kundërshtim me frymën demokratike dhe shumëetnike të Republikës së Kosovës, nuk kontribuojnë në procesin e ballafaqimit me të kaluarën", thuhet në deklaratën e këtyre dy organizatave.

Dragica Gashiq ka lëshuar banesën e saj në Gjakovë më 30 qershor, sepse, siç thekson ajo, nuk ndihet e sigurt. Ajo u përpoq të ndryshonte derën e jashtme të banesës dhe ta zëvendësonte atë me një të blinduar, por policia nuk e lejoi ta bënte këtë, duke shpjeguar se ajo duhet të merrte një leje komunale për diçka të tillë.

Në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, Gashiq u shpreh se askujt nuk i ka bërë asnjë të keqe dhe se do t’u bëjë ballë të gjitha tundimeve.

“Unë e lajmëroj policinë se më sulmojnë, se më gjuajnë, që më qëllojnë, që më ngjitin fotografi të ndryshme në dyert të banesës, ata më trokasin në derën e banesës, të cilës i është zbehur ngjyra si një trëndafil. Po e godite me një shqelm do ta shkallmoni”, ka thënë Gashiq.

Dragica Gashiq sqaroi se para luftës dhe para se të zhvendosej nga Kosova, kishte punuar në Polici të Serbisë, në Gjakovë, por vetëm si pastruese e objektit.

Ajo shtoi se nuk e ka të qartë se pse dikujt i pengon fakti që ajo është kthyer në banesën e saj.

Në një bisedë me REL-in më 6 korrik, ajo tha se tash po qëndronte te motra e saj në fshatin Krushevë e Madhe të Komunës së Klinës.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat