Kjo është gjendja e 20-vjeçarit që ishte në autoambulancën e aksidentuar në Gjakovë

Gjakova

Kjo është gjendja e 20-vjeçarit që ishte në autoambulancën e aksidentuar në Gjakovë

Më: 7 korrik 2022 Në ora: 15:38
Pamje nga vendi i ngjarjes

Më 30 qershor në Gjakovë, ka ndodhur një aksident i rëndë trafiku, ku u përfshinë autoambulanca dhe një veturë e tipit Golf. Si pasojë e përplasjes kanë vdekur dy persona – shoferi i autoambulancës, Skofiar Gjini dhe mjeku i QKMF-së në Gjakovë, Mentor Salihi.

Në këtë aksident është përfshirë edhe një 20-vjeçar, i cili ka pësuar lëndime të rënda trupore dhe po vazhdon trajtimin mjekësor në Klinikën Intensive në QKUK.

Gjendja e tij është ende në rrezik për jetë. Kështu tha shefi i Intensivës, Shaqir Uka.

“Pacienti është ende në gjendje shumë të rëndë. Kryesisht, lëndime ka në pjesën e kokës dhe gjoksit”, tha Uka.

Lidhur me rastin, ka dhënë detaje edhe Policia e Kosovës, përmes raportit 24-orësh.

“Rr. Pashko Vasa, Gjakovë 30.06.2022 – 05:50. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar për shkak se derisa kishte qenë duke e drejtuar veturën, nga pakujdesia  ka shkaktuar aksident me një autoambulancë e cila ka qenë duke i transportuar  disa persona të lënduar nga një vetaksident. Si pasojë e aksidentit pesë persona të gjithë meshkuj kosovarë kanë pësuar lëndime trupore për të cilat kanë pranuar tretman mjekësor, ndërsa njëri nga të lënduarit ka ndërruar jetë, me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion, kurse i dyshuari që ka shkaktuar aksidentin me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje”, thuhet në raport.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat