Me dekret të presidentit të Republikës së Kosovës Hashim Thaçi, sot janë shpallur heronj gjashtë dëshmorë të kombit nga komuna e Gjakovës, të cilët kanë rënë heroikisht gjatë luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Heronjtë e shpallur si të tillë sot janë: Përmet Vula, Elton Zherka, Ilir Soba, Sadedin Shehu, Bujar Roka dhe Hamëz Zymberi.
Në një ceremoni të mbajtur me këtë rast, ka marrë pjesë edhe kryetari i komunës së Gjakovës Ardian Gjini, ndërsa në emër të presidentit Thaçi, ndarjen e dekreteve dhe pllakateve me titullin e heroit të kombit e ka ndarë këshilltari i tij Veli Bytyqi.
Kryetari Gjini ka thënë se vendimi i presidentit Thaçi, për shpalljen e gjashtë heronjve nga Gjakova, ndonëse është i vonuar, është vendim që megjithatë mirëpritet si nga familjarët e dëshmorëve, bashkëluftëtarët e tyre ashtu edhe nga institucionet lokale.
Ai ka shtuar se me këtë akt, po bëhet vlerësimi real për kontributin që Gjakova dhe banorët e Gjakovës e kanë dhënë në luftën për liri.
Në këtë aktivitet ka folur edhe ish – komandanti i brigadës 137 “Gjakova” Agon Kryeziu, i cili ka thënë se ky është një nderim plotësisht i merituar që u bëhet heronjve të Gjakovës.