Ahmet Isufi: Dëshmorët - udhërrëfyesit se si luftohet për liri

Gjilani

Ahmet Isufi: Dëshmorët - udhërrëfyesit se si luftohet për liri

Më: 17 shtator 2019 Në ora: 17:35
Akademi përkujtimore kushtuar 20-vjetorit të rivarrimit të dëshmorëve të kombit

Nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, sot është mbajtur akademi përkujtimore kushtuar 20-vjetorit të rivarrimit të dëshmorëve të kombit.

Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues nga jeta politike, shoqërore e kulturore nga niveli lokal e ai qendror, sikurse edhe familjet e dëshmorëve.

Ish-komandanti i UÇK-së në Zonën Operative të Karadakut, Ahmet Isufi, tha se dëshmorët janë udhërrëfyesit se si luftohet për liri.  

“Ne nuk mund t’i harrojmë këto ditë të vështira të popullit tonë, kur heroikisht do të bien luftëtarët e Brigadës 171 “Kadri Zeka”, të cilët me vetëmohim, me përkushtim, me vetëdije të plotë dhe me guxim, do t’i dalin përballë armikut shekullor. Gjenerata e artë  e UÇK-së arriti që krejt sakrificat e grumbulluara për periudha të tëra, t’i sublimojë në përmbushjen e një pjese të amanetit të atyre që ranë në beteja në përpjekje për liri dhe pavarësi”, tha Isufi.

Ndërsa, kryesuesja e Kuvendit Komunal, Shpresa Kurteshi-Emini tha se ky 20-vjetor, te familjet e dëshmorëve dhe te të gjithë qytetarët sjell ndjenja të brishta të dhembjes dhe të krenarisë.

“Në kohërat më të vështira, dëshmorët u bënë zëri i këtij popullit të vuajtur prej shekuj, të cilëve iu ndalua gjithçka dhe iu privua e drejta për të jetuar në vendin e tyre siç e meritonim. Emrat e tyre do të jenë të ngritur përjetë në piedestalet më të larta. Ata bënë aktin më madhështor, dhanë jetën për çlirimin e Kosovës”, tha Kurteshi-Emini.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat