Në Gjilan hapet qendra edukative “Klasat për Nëna”

Gjilani

Në Gjilan hapet qendra edukative “Klasat për Nëna”

Më: 29 tetor 2019 Në ora: 15:34
Qendra edukative “Klasat për Nëna”

Është hapur sot në Qendrën e Mjekësisë Familjare në “Dardani” të Gjilanit qendra “Klasat për Nëna”, si pjesë e programeve edukative për shëndetin e nënës dhe fëmijës në Kosovë, projekt ky i cili po realizohet falë mbështetjes së Ambasadës së Zvicrës në vendin tonë.

Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, në ceremoninë e hapjes, tha se ky është program që e bën krenar në kuadër të shëndetësisë primare në këtë komunë, i cili ka të bëjë me përkujdesjen e nënës dhe fëmijëve në fazën e hershme.

“Kjo dëshmon për mbështetjen në kontinuitet të shtetit mik, i cili edhe në këto rrethana po vazhdon të tregojë kujdes të shtuar. Dëshiroj t’ju njoftoj se Gjilani është përzgjedhur në mesin e tri komunave përfituese në programin e fundit për fëmijës të UNICEF për përkujdesje për nënat dhe fëmijët me nevoja të veçanta”, ka thënë Haziri.

Në emër të Ambasadës së Zvicrës në Kosovë ka folur Paulina Gacaferri, e cila shprehu bindjen se “Klasat për Nëna” në mënyrë efektive do ta përmirësojnë shëndetin e grave dhe fëmijëve në komunën e Gjilanit.

“Ambasada e Zvicrës është përkushtuar që disa vite për ta forcuar pozitën e grupeve të margjinalizuara në Kosovë. Jemi shumë të lumtur që aksioni për nëna dhe fëmijë në bashkëpunim me QKMF-në dhe Komunën e Gjilanit, janë bashkuar dhe kanë hapur këtë qendër e cila si fokus do ta ketë shëndetin e nënave dhe fëmijëve, e në veçanti, grupet e margjinalizuara”, tha ajo.

Ndryshe, Gjilani është përzgjedhur në mesin e tri komunave përfituese në programin e fundit për fëmijës të UNICEF për përkujdesje për nënat dhe fëmijët me nevoja të veçanta.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat