Gjilani mbyll Tregun e Kafshëve dhe dezinfekton disa hapësira publike

Gjilani

Gjilani mbyll Tregun e Kafshëve dhe dezinfekton disa hapësira publike

Më: 13 mars 2020 Në ora: 15:03
Foto nga takimi

Komisioni emergjent i Gjilanit ka njoftuar se është bërë dezinfektimi i objekteve të ndryshme si administratës komunale, bibliotekës, objektit të Stacionit të Autobusëve dhe të Qendrës së Mjekësisë Familjare në lagjen Dardania.

Drejtori i Shëndetësisë, Selami Xhemaili, ka publikuar vendimet që sot ka marrë komisioni, ku do të denzifektohet objekti i Stadiumit, Stacioni Policor dhe palestra e sporteve, ndërkaq në ditët në vijim është planifikuar edhe dezinfektimi i të gjitha qendrave të mjekësisë familjare, për të vazhduar edhe me të gjitha objektet publike.

Po ashtu, ai ka konfirmuar se është marrë vendim në koordinim edhe me kryetarin e Komunës, Lutfi Haziri, për mbylljen e Tregut të Kafshëve në një afat të pacaktuar, pastaj vendimi tjetër për largimin e të gjithë shitësve të pemëve dhe perimeve nga hapësira publike, vendim për ndalimin e shitjes dhe ushqimeve në hapësirat publike, vendimi për lirimin e njërit prind nga puna, në rast se janë të punësuar të dy, do të lirohen nga puna shërbyesit civilë të cilët janë me sëmundje kronike.

“Komisioni ka apeluar te të gjithë qytetarët e komunës së Gjilanit që të mos krijojnë situatë të panikut, siç janë rastet e furnizimit me produkte ushqimore, e konkretisht ata që mundohen të krijojnë rezerva të miellit, derisa ka potencuar se nuk ka hapësirë për shqetësim në atë masë sa të krijohen rezerva të mëdha ushqimore”.

“Komuna e Gjilanit do t’i zbatojë vendimet me përpikmëri dhe në mënyrë rigoroze, derisa është apeluar që të gjithë t’i përmbahen vendimeve komunale, në të kundërtën, do të përballen me pasoja ligjore”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat