Kurteshi-Emini: Ekzekutivi është duke shikuar mundësitë buxhetore për t`i ndihmuar qytetarët në këtë kohë pandemie

Gjilani

Kurteshi-Emini: Ekzekutivi është duke shikuar mundësitë buxhetore për t`i ndihmuar qytetarët në këtë kohë pandemie

Më: 15 dhjetor 2020 Në ora: 15:17
Shpresa Kurteshi-Emini

Komiteti për Politikë dhe Financa (KPF) në mbledhjen e radhës, të kryesuar nga Shpresa Kurteshi-Emini ka shqyrtuar dhe rekomanduar për Kuvend Komunal propozim-vendimet për marrjen nën mbrojtje të trashëgimisë natyrore në komunën e Gjilanit, draft-rregulloren komunale për përcaktimin e procedurave të dhënies në shfrytëzim të pronës së paluajtshme të komunës për periudhën më pak se një vit, propozim-rregulloren për kushtet, kriteret dhe procedurat e ndarjes së subvencioneve, propozim-planin e punës së KK-Gjilan për vitin 2021, propozim-vendimin për miratimin e orarit të mbledhjeve të Kuvendit dhe Komiteteve për vitin 2021 si dhe raportin e punës së KKSB për vitin 2020, përkatësisht planin e punës për vitin 2021.

Sa i përket mbrojtjes së trashëgimisë natyrore, sqarimet e nevojshme i ka dhënë Sali Fazliu, drejtor për Kadastër, ndërkaq për subvencionet ka folur Ramiz Ramadani, drejtor për Bujqësi, i cili ka thënë se auditori i brendshëm nuk ka gjetur asnjë parregullsi, derisa ai i jashtmi ka pasur vetëm një vërejtje, që më tepër ka qenë çështje e interpretimit.

Anëtarët e KPF, Hevzi Xhelili, Ibish Ibishi, Avdyl Aliu dhe të tjerët, janë dakorduar me kërkesën e Nevzad Isufit që Komiteti për menaxhimin e pandemisë të sjellë në Kuvend një raport për gjendjen me Covid, përkatësisht shqyrtimin e mundësive nga ekzekutivi, për t`i ndihmuar qytetarët në përballimin e gjendjes gjatë pandemisë.

Shpresa Kurteshi-Emini, kryesuese e Kuvendit Komunal, tha se ekzekutivi ka diskutuar dhe është duke i shikuar mundësitë buxhetore për t`i ndihmuar qytetarët në këtë kohë pandemie.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat