Në Gjilan fillon mbjellja e rreth 7 mijë drunjve dekorativ - Bota Sot
Në Gjilan fillon mbjellja e rreth 7 mijë drunjve dekorativ

Gjilani

Në Gjilan fillon mbjellja e rreth 7 mijë drunjve dekorativ

Më: 17 tetor 2018 Në ora: 15:42
Gjilan

Në kuadër të aksionit “Ta pastrojmë Kosovën” respektivisht “Ta pastrojmë Gjilanin”, prej kësaj javë ka nisur edhe gjelbrimi i hapësirave publike, ku do të mbillen afro 7 mijë drunj dekorativ për t’i dhënë Gjilanit edhe epitetin e qytetit ekologjik.

Kryetari i Komunës, Lutfi Haziri, i cili ka bërë mbjelljen e drurit dekorativ ne rrugën Gjilan – Bujanoc, ka thënë se po punojmë bashkërisht që Gjilani të bëhet një qytet ekologjik.

“Përpos aktiviteteve të filluara për pastrim të ambientit ne jemi duke vazhduar edhe me aksionin për gjelbrim dhe mirëmbajtje të hapësirave të gjelbruara në qytet. Po punojmë bashkërisht që Gjilani të bëhet një qytet ekologjik. Plani i aprovuar nga bordi i drejtorëve tashmë është duke u implementuar dhe aty janë të përfshira mbjelljet e drunjve dekorativ në të gjitha rrugët kryesore të Gjilanit dhe në kodrën e dëshmorëve”, ka thënë kryetari Haziri.

Ai ka potencuar se është pretendim që me kërkesën e Komunës të merren edhe 5 mijë fidane të tjera nga niveli qendror dhe u dedikohen Qendrave të Mjekësisë Familjare, oborreve të shkollave dhe vendet e zhveshura nëpër fshatra, thuhet në njoftimin komunal.

“Gjatë kësaj faze do të bëhet mbjellja gjithandej, duke mos harruar edhe tri parqet e reja, Parku i Paqes te livadhet e Malishevës në tre hektarë tokë tashmë të ndar për këtë qëllim, pastaj Parku i të Barabartëve që i dedikohet personave me nevoja të veçanta te “Banja” dhe Parku i Pajtimit në Gllamë të Bresalcit”, ka thënë ai.

Haziri ka ftuar qytetarët, kompanitë, por edhe qiftet e reja, arsimtarët, pensionistët, fëmijët, që secili prej tyre mund të bëjë mbjellje dhe ta kenë drurin e tyre në formë simbolike, sikur që ka ndodhur me gjeneratën e vitit ’87-’88 e gjimnazit “Zenel Hajdini”, që ka mbjellur drurin e vet dekorativ në qendër të qytetit dhe përkujdeset për të.

“Ky aksion nuk ka të bëjë me numra, ka qëllim që qytetin tonë të bëjmë së bashku të gjelbër”, tha mes tjerash ai.

Drejtoria e Bujqësisë në Gjilan, është bartëse e këtij projekti dhe angazhohet në funskion të përshtatjes së drunjëve me vendin ku bëhet mbjellja, ka informuar drejtori i këtij resori, Ramiz Ramadani, që bëri të ditur se kjo pjesë e vitit është shumë e përshtatshme për mbjellje të kësaj natyre dhe do të shfrytëzohet maksimalisht me të gjitha kapacitetet.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test
Tjera