Istrefi premton një Trepçë të fortë: Nuk bëhen mrekullitë brenda natës  - Bota Sot
Istrefi premton një Trepçë të fortë: Nuk bëhen mrekullitë brenda natës 

Hendboll

Istrefi premton një Trepçë të fortë: Nuk bëhen mrekullitë brenda natës 

Nga: Kemajl Goca Më: 31 janar 2020 Në ora: 16:10
Bujar Istrefi

Gushti dhe shtatori i vitit 2019 kanë qenë prej muajve më të vështirë të klubit të hendbollit Trepça nga Mitrovica (meshkuj). Klubi me renome ka qenë në një situatë kaotike, mbase në një moment ishin pajtuar të bien në një rang më poshtë të garave (liga e parë), për shkak të krizës që i kishte kapluar. Askush nuk e besonte se Trepça do të merr veten dhe do të riorganizohet! Ishin ditët më të vështira, flitej se edhe mund të shuhej kolektivi me traditë.

Me 24 shtator të vitit të kaluar ndryshojnë gjërat për të mirë e për 360 shkallë, u zgjodh kryesia e re dhe me president të ri Bujar Istrefi. Fillon një frymë e re, Trepça këndellet e gradualisht edhe riorganizohet, po ashtu vijnë edhe rezultatet. “Xehetarët” treguan lojëra të mira gjatë stinorit vjeshtor, përfundojnë në vend të tretë me 20 pikë apo me 9 fitore, 2 barazime e 3 humbje, bilanc për lakmi, kur merren parasysh situata që kaluan, sidomos në muajin shtator.

Presidenti i klubit, Istrefi, tha se kanë planin e tyre jo për një kohë të shkurtër por afatgjatë, që ta rikthejnë klubin në binarët e duhur, aty ku e kanë vendin e merituar.

Image

KH Trepça

“Padyshim se aspiratat tona janë me bë një Trepçë tjetër, me avancuar, ashtu si i ka hije si klub me renome. Kemi bërë transferime në afatin kalimtar dimëror, ndërsa gjatë vjeshtës kemi përfunduar në katërshen e parë. Nuk kemi pretendime më shumë, por projektin ynë është me aktivizuar shkollën dhe mi pru fëmijët me luajt hendboll”, tha Istrefi për gazetën kombëtare “Bota sot”.

Istrefi tregon se prej kohës që kanë ardhur në klub, shumë gjërat janë rregulluar dhe janë vënë në binarë, tash është një klub ndryshe, i organizuar fije e për pe. “Fillimisht ideja kur e kemi marr klubin ka qenë me ndreq mirëqenien, me bë të vlefshme statusin e secilit lojtar që u kanë dhe luan për klub, sepse u kanë i degraduar mjaftueshëm klubi.

Synimi ynë ishte prej ekipit me kthyer në klub. Kushtet i kanë të mira, me pagesa, rekuizita, me shujta dhe çdo gjë çka iu duhet”, theksoi ai.  Njeriu që riktheu stabilitetin në klub, tha se është normale që Trepça lufton për trofe në të ardhmen: “Normal që synimi ynë janë trofe, në këtë cikël pesëvjeçar. Nuk bëhen mrekullitë brenda natës, por duhet gradualisht me ngritë këtë nivel, me qenë pretendent për titull dhe Kupën e Kosovës në të ardhmen, jo në këto vitet e para”.

Istrefi merr për bazë dy qendrat e hendbollit, Mitrovicën dhe Ferizajn. “Realisht Mitrovica edhe si qytet u identifikua edhe e ka traditë disiplinën e hendbollit sikurse edhe Kastrioti i Ferizajt por që kohët e fundit u degradua kjo disiplinë në këto dy qytete. Potenciali është i madh i të rinjve që të merren me hendboll dhe mu kthye ky sport aty ku duhet. Është rritur entuziazmi me iu kthye hendbollit. Suksesi është i garantuar nëse vazhdohet me punu me këtë ritëm, pritshmëritë janë të mëdha.

Image

Bujar Istrefi

Gradualisht duhet me rrit nivelin dhe konkurrencën, ka kapacitete brenda klubit.  Ky është një prej elementeve kryesore. Këto dy ekipe (Trepça e Kastrioti) duhet fuqizuar në nivelin tjetër, sepse vetëm me Besën e Pejës konkurrencë, mendoj se nuk ka entuziazëm dhe pak u bë edhe demode kjo punë, duke e respektuar gjithsesi sakrificën dhe punën që bëhet në Besë.

Sa më shumë klube të nivelit të tillë e rrisim edhe shikueshmërinë edhe nivelin dhe ky është njëra prej synimeve tona që jemi të angazhuar si klub, jo me ngritë vetëm Trepçën por hendbollin në mbarë Republikën. E konsiderojmë dhe e kemi obligim qytetar me kontribuar në klub, edhe në instancat tjera, duke e ditur se në pjesën e veriut ekziston klubi fantom Trepça”, përfundoi Istrefi.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat