Paralajmëron David Phillips: Korrigjimi i kufirit ide e keqe, Kosova do të jepte territor dhe nuk do të merrte asgjë në këmbim

Intervista

Paralajmëron David Phillips: Korrigjimi i kufirit ide e keqe, Kosova do të jepte territor dhe nuk do të merrte asgjë në këmbim

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 11 prill 2019 Në ora: 08:00
David Phillips

Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Kolumbias në Nju Jork, David Phillips, ka thënë se Uashingtoni në vend se të bëjë presion ndaj Kosovës për pezullimin e taksës, duhet të detyrojë Serbinë për të njohur Kosovën brenda kufijve të saj aktual.

Duke folur në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot, Phillips ka theksuar se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, ia vlen të vazhdohet, nëse Serbia merr qasje konstruktive. Nëse jo, sipas tij, dialogu duhet të pezullohet dhe Serbisë t’i pamundësohet anëtarësimi në BE.

Ai ka kërkuar nga SHBA që të mos ankohet, por të pranojë përgjegjësinë e marrë me ndërhyrjen e NATO-s dhe të bëjë punën e vështirë të ndërmjetësimit në dialog. Eksperti amerikan ka paralajmëruar se ideja për “korrigjimin e kufijve” mund të përfshihet në dialog nëse ekipi negociator e dëshiron këtë.

Mirëpo, sipas tij, me këtë ide, Kosova do të jepte territor dhe do të merrte asgjë në këmbim. Phillips ka folur edhe për punën e Gjykatës Speciale, duke thënë se ose duhet të veprojë, ose të shpërbëhet, pasi sipas tij, ajo nuk mund të ekzistojë në përjetësi duke frikësuar udhëheqësit e Kosovës.

“Bota sot”: Pse Kosova pavarësisht dialogut tash e 8 vjet, nuk ka mundur të normalizojë marrëdhëniet me Serbinë?

David Phillips: Serbia nuk po dëshiron të normalizojë marrëdhëniet. Ajo po refuzon të pranojë se Kosovën e ka humbur si rezultat i krimeve të saj.

“Bota sot”: Zyra e përfaqësues së lartë të BE-së Federica Mogherini ka vlerësuar se taksa ndaj produkteve serbe, ka vonuar marrëveshjen historike mes të dyja vendeve. Cili është mendimi juaj për taksën?

David Phillips: Marrëveshja është vonuar për shkak të obstruksionizmit të Serbisë. Taksa iu imponua Kosovës si përgjigje ndaj përpjekjeve të Serbisë në Dubai për të bllokuar anëtarësimin e Kosovës në Interpol. Zyrtarët serbë nuk mund të ulën në tryezë në Bruksel, derisa ata përpiqen të bllokojnë përpjekjet e Kosovës për të fituar njohje më të madhe globale. Të bësh kështu është një farsë jashtë normalizimit.

“Bota sot”: Taksa ka “lëkundur” raportet miqësore të Kosovës me miqtë si SHBA dhe vendet e BE-së. Cilat mund të jenë pasojat për Kosovën?

David Phillips: Ekuivalenca morale është e pamoralashme. SHBA-të luftuan për të parandaluar gjenocidin nga Serbia në Kosovë. Në vend se të ushtrojë presion ndaj Kosovës për të pezulluar taksën, Uashingtoni duhet të bëjë presion ndaj Serbisë për të njohur Kosovën brenda kufijve të saj aktual.

“Bota sot”: A ka gjasa që Serbia të pranojë vazhdimin e dialogut edhe pa heqjen e taksës nga ana e Kosovës?

David Phillips: Dialogu vlen të vazhdohet nëse Serbia merr një qasje konstruktive. Nëse jo, atëherë dialogu duhet të pezullohet. Serbisë do t’i mohohet anëtarësimi në Bashkimin Evropian për një të ardhme të parashikuar në përputhje me Kapitullin 35.

“Bota sot”: Cilat çështje duhet negociuar për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse mes Kosovës dhe Serbisë?

David Phillips: Unë kam përgatitur një udhërrëfyes që identifikon dhjetëra çështje, të cilat duhet të adresohen për një marrëveshje gjithëpërfshirëse. Ato përfshijnë çështjet ekonomike, sigurinë, mjedisin, kompensimin dhe çështjen e personave të pagjetur. Nuk ka marrëveshje, nëse nuk ka një marrëveshje gjithëpërfshirëse.

“Bota sot”: Çfarë roli mund të marrë SHBA në këtë proces dhe sa janë gjasat që marrëveshja finale të arrihet gjatë këtij viti?

David Phillips: SHBA-të duhet të angazhohen më aktivisht në këtë proces. Ankimi nuk është një politikë. Është koha që Shtetet e Bashkuara të pranojnë përgjegjësinë e marrë me ndërhyrjen e NATO-s dhe të bëjnë punën e vështirë të ndërmjetësimit.

“Bota sot”: A duhet të përfshihet në dialog edhe ideja e presidentit Hashim Thaçi për korrigjimin e kufirit dhe a do të merrte Kosova diçka në këmbim të dhënies së një pjese të territorit?

David Phillips: Kjo çështje mund të përfshihet në dialog, nëse këtë e dëshiron ekipi negociator. Unë personalisht, mendoj se kjo nuk është një ide e mirë. Kosova do të jepte territor dhe do të merrte asgjë në këmbim. Vuçiq nuk mund të sigurojë shumicën e votave në parlamentin serb për të ndryshuar Kushtetutën e Serbisë dhe ta njohë Kosovën. Ai nuk mund t'i detyrojë vendet e BE-në, veçanërisht Spanjën që nuk e njohin Kosovën, për të ndryshuar politikën e tyre. Vuçiq nuk mund ta bind as Rusinë dhe Kinën që të heqin dorë nga kundërshtimi i tyre për anëtarësimin e Kosovës në OKB.

“Bota sot”: Çfarë ka bërë deri më sot Kosova sa i përket dokumentimit të krimeve të luftës dhe për të kërkuar llogari nga Serbia për këto krime?

David Phillips: Gjykata Speciale duhet ose të veprojë ose të shpërbëhet. Nuk mund të ekzistojë në përjetësi duke frikësuar udhëheqësit e Kosovës. Mbështetja e Gjykatës Speciale shkakton zëra dhe spekulime, të cilat nuk janë në interes të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat