Çdo reagim qytetar kundër keqqeverisjes do ta ketë përkrahjen tonë - Bota Sot
Çdo reagim qytetar kundër keqqeverisjes do ta ketë përkrahjen tonë

Intervista

Çdo reagim qytetar kundër keqqeverisjes do ta ketë përkrahjen tonë

Zejnepe Bekteshi Nga Zejnepe Bekteshi Më 12 prill 2019 Në ora: 08:04
Armend Zemaj

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, e konsideron si shumë të rëndës gjendjen aktuale politike në Kosovë. Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, Zemaj ka thënë se skandalet e një pas njëshme të koalicionit aktual kanë marrë përmasa shqetësuese. Sipas tij, taksa 100% për produktet nga Serbia dhe BeH është vendosur si masë populliste që kjo qeveri ta mbuloj dështimin e anëtarësimit të INTERPOL dhe dështimet e tjera në arenën ndërkombëtare dhe vendore. Ai ka potencuar se situata e krijuar me punësimet partiake kërkon në institucione publike kërkon reagim qytetarë. Për Zemajn, zgjedhjet në LDK janë akt solemn. Po ashtu, Zemaj ka folur rreth iniciativës së tij, për një debat parlamentar sa i përket gjendjes jo të mirë të punëtorëve në sektorin privat.

“Bota Sot”: Si e komentoni gjendjen aktuale politike?

Armend Zemaj: Që nga pas lufta e deri më tani, vendi nuk është përballur asnjëherë me situatë më të rëndë politike se sa tani. Kur e them këtë kam parasysh faktin se vendi tani më po udhëhiqet nga një koalicion i cili para vetës ka vetëm interesat e ngushta të cilat edhe i kanë bërë bashkë. Fatkeqësisht ngarendja pas këtyre interesave ka dëmtuar rëndë mirëqenien e qytetarëve e për të qenë situata edhe më e rëndë kjo sjellje ka degraduar rëndë imazhin e vendit karshi partnerëve tanë ndërkombëtarë. Skandalet e një pas njëshme të këtij koalicioni kanë marrë përmasa shqetësuese duke nxjerrë funksionimin e shtetit tërësisht nga binarët normal.

“Bota Sot”: Sa është real opsioni për një qeveri gjithëpërfshirëse ku LDK do të udhëhiqte me dialogun?

Armend Zemaj: Ju tashmë e dini se LDK ka bërë të ditur qëndrimin për Dialogun, të cilin ne e shohim të domosdoshëm dhe mjet të vetëm për normalizimin e marrëdhënieve me fqinjin tonë verior. Po ashtu për ne është e domosdoshme që ky proces të jetë në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe ligjet e vendit. E që ky proces të jetë i tillë duhet të udhëhiqet nga Qeveria dhe të ketë pas vetes legjitimitetin e plotë. Deri tash kemi parë se këto parime janë shkelur andaj në rast se do të arrihej ndonjë konsensus i plotë mes të gjitha partive i cili më pas do të përcillej me formatizim të plotë institucional atëherë LDK-ja do të mund ta diskutonte opsionin e një qeverie gjithëpërfshirëse e cila do të shërbente për mbylljen e sagës 20 vjeçare Kosovë- Serbi.

“Bota Sot”: Si i keni parë ju zhvillimet sa i përket taksës 100% për produktet nga Serbia dhe B e H?

Armend Zemaj: Taksa 100% për produktet nga Serbia dhe BeH është vendosur si masë populliste në mënyrë që kjo qeveri të mbuloj dështimin e anëtarësimit të INTERPOL por edhe për mbulimin e dështimeve të tjera në arenën ndërkombëtare dhe vendore. Vetë ngarendja për të marrë meritat për vendosjen e saj dhe më pas ikja përballë përgjegjësisë tregon për mendësinë e funksionimit të këtij koalicioni.

“Bota Sot”: LDK është pro apo kundër kësaj takse?

Armend Zemaj: LDK-ja e ka bërë të ditur qëndrimin lidhur me vendimin për taksën për produktet e Serbisë dhe Bosnjës. Taksa është masë e merituar, por po ashtu është një masë popullsitë, e pa matur mirë në momentin e marrë. Sigurisht që vendimi për tërheqje të taksës i takon atyre që kanë marrë vendimin për ta vënë atë.

“Bota Sot”: Raportet Kosovë SHBA a mendoni se janë përkeqësuar me vendosjen e kësaj takse?

Armend Zemaj:Që nga themelimi e deri në ditët e sotme, LDK-ja ka kultivuar thellimin e miqësisë me SHBA-të dhe BE-në, sepse LDK të vetmen rrugë për Kosovën e sheh atë të integrimit euro-atlantik. Në cilën do fazë të shtetndërtimit të vendit, LDK është sjellë komfor këtij parimi. Po nga prizmi i këtij parimi e kemi parë edhe letrën e Presidentit Trump, në kërkesën e të cilit për unitet, LDK i është përgjigjur duke treguar gatishmëri për marrjen e përgjegjësisë për të gjitha proceset në të cilat po kalon vendi në proporcion me fuqinë politike që përfaqëson. LDK raportin Kosovë – SHBA  e sheh shumë më tepër se sa vetëm një raport bilateral andaj edhe si i tillë duhet ruajtur dhe kultivuar me kujdes.

“Bota Sot”: Vendi po përballet me një valë punësimesh familjare në Telekom dhe asete të tjera publike nga partitë e koalicionit qeverisës, si e komentoni ju këtë situatë?

Armend Zemaj: Punësimet mbi baza politike e familjare në Telekom tashmë nuk janë rast i izoluar. Bazuar në raportimet e ndryshme kemi parë se e njëjta ka ndodhur edhe nëpër ndërmarrje publike dhe kjo gjendje është më shumë se fatkeqësi. Kur e them këtë kam parasysh faktin kur librezat partiake luajnë rolin e diplomës për punësim në institucione publike. Situata e tillë kërkon reagim qytetarë për ta ndalur këtë degradim që po merr përmasa të jashtëzakonshme. Dhe sigurisht që çdo reagim kundër kësaj situate do ta ketë përkrahjen tonë.

“Bota Sot”: Tashmë ka nisur procesi zgjedhor brenda LDK-së, çfarë prisni ju nga ky proces?

Armend Zemaj: Zgjedhjet në LDK janë akt solemn dhe proces shumë i rëndësishëm. LDK është parti e qendrës së djathtë andaj ajo përmes zgjedhjeve të brendshme rritet, gjeneron vetveten si dhe e ri konfirmon këtë orientim. Zgjedhjet e brendshme në LDK synojnë forcimin e mëtejmë të saj duke forcuar kështu edhe besimin qytetarë të cilin e gëzon LDK-ja. Procesi është demokratik dhe kjo po vërtetohet çdo ditë në qendrat në të cilat tani më ato kanë përfunduar. Rast të tillë kemi degën e Deçanit prej nga vij edhe unë, ku zgjedhjet e brendshme kanë përfunduar në mënyrën më të mirë të mundshme dhe këtë besoj se do ta gëzojnë të gjitha degët e tjera.

“Bota Sot”: Ligji për Pagat krijon dallim të madh mes sektorit publik dhe privat, çka mund të bëni ju për të përmirësuar këtë?

Armend Zemaj: Fatkeqësisht vendi ynë është më varfëri në Evropë dhe regjion, kur e them këtë kam parasysh faktin se Kosova mezi po arrin të mbuloj importin me 10% eksport. Pagat e sektorit privat, ku janë të punësuar trefishi i të gjithë të punësuarve, janë të ulta në krahasim me sektorin publik. Kjo diskrepancë tashmë është e qartë se nuk ndihmon zhvillimin ekonomik. Si parti e qendrës së djathtë ne do të punojmë me përkushtim për ulje të këtij dallimi si dhe do të angazhohemi për të drejta të barabarta dhe respektim të të drejtave të punëtorëve në të gjithë sektorët.

“Bota Sot”: Buxheti i shtetit shkon për paga e skema sociale dhe sektori privat ende mbetet me pagën mesatare tejet të ulët, pa kontrata, si mendon i që mund ta ndryshoni këtë gjendje që bënë kaq shume ndasi?

Armend Zemaj: Nga rreth 2 miliard të hyra buxhetore mbi 1.4 milion janë të destinuara për paga dhe transfere sociale, gjë kjo e cila e ulë tej mase kapacitetin e vendit për investime dhe zhvillim ekonomik. Standardi i jetesës nuk rritet duke i rritur pagat por duke gjeneruar vende te reja te punës. Por,ashtu siç e thash edhe më lartë ashtu siç jemi angazhuar në Qeverinë Mustafa ashtu do të angazhohemi edhe tani që t ‘mbrojmë të drejtat e punëtorëve në çdo sektorë në përputhje me ligjet në fuqi.

“Bota Sot”: Punëtorët të cilët punojnë, sidomos në sektorin privat në çfarë kushtesh punojnë? A ka sindikata në kompanitë private që veprojnë në Kosovë?

Armend Zemaj: Shkelja e të drejtave të punëtorëve dhe mos respektimi i ligjeve të miratuara është evidente në vendin tonë. Personat e punësuar në sektorin e shërbimeve, qendrave tregtare, sektorin e ndërtimit, sektorin e hotelerisë dhe tregtisë përballen me probleme të shumta të mos respektimit të të drejtave të tyre të punës dhe mos zbatimit të ligjeve të miratuara. Kjo gjë duhet ndryshuar por me një qeveri të tillë e cila nuk ka vizion të qartë për politika të punësimit dhe respektimit të të drejtave duket goxha vështirë e arritur.

“Bota Sot”:  Sa zbatohen ligjet, kontratat e punës, në sektorin privat? Ku janë pengesat më të mëdha në drejtim të përmirësimit të gjendjes së punëtorëve?

Armend Zemaj: Janë evidente shkeljet e të drejtave nga punëdhënësit si: Mos pagesa e rregullt, oraret e stërzgjatura, mos kompensimi i orëve të punës jashtë orarit të rregullt, mos kompensim të shpenzimeve në rast të sëmundjes, lëndimit në vendin e punës, mohimit të së drejtës së pushimit javor, vjetor, mos respektimi i pushimit të lehonisë, ofrimi i sigurisë në vendin e punës, ndërprerja e marrëdhënies së punës pa paralajmërim e shumë shkelje të tjera, për të cilat shteti do të duhej t’u garantonte zbatueshmërinë e ligjeve të miratuara, më konkretisht të ligjit të punës. Duke marrë parasysh se sektori privat zotëron në vete një numër të madh të të punësuarve, të cilët konsiderohen edhe gjeneratorë të zhvillimit ekonomik në vend, është e domosdoshme t’u sigurohen kushte të favorshme të punës, nga të cilat përfitues të jenë vetë ata, e jo vetëm pronarët e kompanive dhe shteti si taksambledhës.

“Bota Sot”: Çka mund të bëni ju si deputet për të ofruar sadopak stabilitet dhe siguri në punë për punëtorët?

Armend Zemaj: Mos respektimi i rregullave ligjore të lartcekura kërkon marrjen e masave të domosdoshme të të gjitha institucioneve kompetente në mënyrë që këtyre punëtorëve, e sidomos të rinjve, t’u ofrojmë mjedis të sigurtë dhe kushte të mira të punës konform standardeve normale të punës, e të cilat janë të garantuara edhe me konventat ndërkombëtare të punës. Andaj unë edhe kam iniciuar një debat parlamentar lidhur me këtë gjendje, nga i cili pritet të dalin rekomandime konkrete të cilat shpresoj dhe besoj se sado pak do të rregullojnë këtë gjendje jo të mirë të punëtoreve të sektorit privat.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...