Komandant Remi: Drejtuesit e UÇK-së nuk e kanë lënduar të drejtën ndërkombëtare

Intervista

Komandant Remi: Drejtuesit e UÇK-së nuk e kanë lënduar të drejtën ndërkombëtare

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 30 prill 2019 Në ora: 15:14
Rrustem Mustafa

Ish deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Rrustem Mustafa në një Intervistë ekskluzive për “Bota sot”, ka thënë se Gjykata Speciale ka ardhur si pasojë e gjithë propagandës përtej politikave armiqësore të shtetit mbi të cilin u fitua lufta.

Ai beson se kjo gjykatë së shpejti do të përfundojë punën e saj, dhe do të ketë vendime ku do të dëshmohet se drejtuesit e UÇK-së nuk e kanë lënduar të drejtën ndërkombëtare.

Nga këndi i nënkryetarit të PDK-së, Mustafa ka folur edhe për qeverisjen aktuale me AAK-në, ku sipas tij, vendi nuk ka asnjë interes për qeveri kaq të madhe dhe të pa dobishme.

“Bota sot”: z. Mustafa të hënën është mbajtur takimi i lartë në Berlin me udhëheqësit e shteteve të Ballkanit Perëndimor, cilat janë pritjet e juaja nga ky takim?

Rrustem Mustafa: Është shumë mirë që edhe vendet e rëndësishme evropianë po bëjnë angazhimin e duhur për zhvillimet e reja në Ballkanin Perëndimor e veçanërisht presim që Gjermania dhe shtetet tjera me ndikim të angazhohen në përfundimin e dialogut të vendit tonë me Serbinë. Megjithatë unë pres zhvillime normale dhe unifikim të të gjithë faktorëve rreth një modeli i cili në mënyrë të suksesshme do të mundësojë zhvillime të reja dhe avancim drejt njohjes reciproke të dy vendeve në mes veti.

“Bota sot”: Kosova do të përfaqësohet nga Kryeministri Haradinaj dhe Presidenti Thaçi, a prisni të jenë unik në qëndrimet e tyre në këtë samit?

Rrustem Mustafa: Po, përfaqësimi është i njëjtë me përfaqësimin e të gjitha shteteve pjesëmarrëse dhe qëndrimi domosdo se do të jetë unik.

“Bota sot”: Ka pasur mjaft kundërthënie rreth taksës ndërmjet partnerëve të koalicionit qeverisës. Cili është pozicioni real i PDK dhe a do të mbijetojë ky koalicion për shkak të pikëpamjeve të ndryshme?

Rrustem Mustafa: PDK-ja është parti që udhëheq me koalicionin dhe domosdo është partia që përbën masën më të rëndësishme të politikave sistemore në qeveri dhe gjithë organet shtetërore. E di se mundet dhe ka mendime të ndryshme, por duhet ditur se Kryeministri Haradinaj është Kryeministër dhe përfaqëson ato politika dhe vendime qeveritare. Ne nuk kemi vërejtje serioze dhe nuk jemi në pozitë që të kërkojmë ndryshime në qasje apo diçka më zhvillimore. Personalisht nuk do të doja në vendin tonë të ketë një qeveri kaq të madhe me performanca të dobëta, jo kompetente, jo krijuese dhe jo zhvillimore në raport me interesat publike dhe shoqërore. Vendi nuk ka asnjë interes për qeveri kaq të madhe dhe të pa dobishme.

“Bota sot”: Një nga problemet më të mprehta vazhdon të jetë çështja e veteranëve të rrejshëm. Ju keni qenë një nga komandantët. Si do të pastrohen këto lista dhe kush është përgjegjës për këtë?

Rrustem Mustafa: Tanimë kjo çështje është në duart e organeve shtetërore, dhe e di se ekzistojnë të gjitha mundësitë që të gjenden regjistrat e cilës do kohë për numrin e ushtarëve të UÇK-së si dhe njerëzve që kanë qenë në njësi përcjellëse, apo ekzistojnë regjistra nëpër arkivat e shtetit si në TMK, FSK, si dhe shumë organizata jo qeveritare. Me sa po shohim, më shumë është problem ligji për kategoritë e dalura nga lufta, sa sa problemi i atyre që kane aplikuar në bazë të ligjit.

“Bota sot”: A është e vonuar çështja e ngritjes së krimeve serbe të luftës, e cila është ri aktualizuar pas 20 viteve?

Rrustem Mustafa: Jam i sigurt se kombi ynë është në rrugën e duhur, duke e siguruar vendin në krah me kombet e qytetëruara, për ta shndërruar atë në territor ku do të ketë siguri për njerëzit, pronën dhe ndërmarrësin e lirë. Tani kur lirinë dhe zhvillimin e sigurojnë vet shqiptarët në rend të parë nën kujdesin e NATO-s (SHBA) dhe miqve tanë, me të cilët po ndërtojmë siguri për rajonin dhe më gjerë, më e mira për ne dhe vendin tonë është ndjeshmëria e zyrtarëve ndaj të mirave shtetërore dhe respektimi i të drejtave sistemore e kushtetuese. Mendoj se vonesat në dënimin meritor të krimeve serbe, vjen për shkak të mos funksionimit efikas të drejtësisë ndërkombëtare, e cila në mënyrë ekskluzive është marrë qoftë nën UNMIK-un, qoftë EULEX-i me gjykimin e krimeve të luftës në Kosovë.

“Bota sot”: Pse ky hezitim i institucioneve tona?

Rrustem Mustafa: Mendoj se ky hezitim e ka burimin në traditën që e ka instaluar dhe imponuar bashkësia ndërkombëtare, pas çlirimit të vendit në pengimin e gjykatave ne Kosovë që të trajtojnë në mënyrë sistematike krimet monstruoze, të bëra nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë.

"Bota sot" : Ndërkombëtaret kanë kërkuar heqjen taksës, kurse kryeministri jo. Si e komentoni ju këtë?

Rrustem Mustafa: Pothuajse ka ardhur momenti kur taksa nuk është më e rëndësishme dhe nuk po shihet pengesë për askënd. Unë nuk e shoh relevancën se a mbahet tutje apo jo, sido që të jetë vendimet e qeverisë i përfaqëson Kryeministri dhe ne e përkrahim në udhëheqjen e politikave të Koalicionit qeveritar.

“Bota sot”: Disa nga analistë e kanë ndërlidhur punën e Gjykatës Speciale me procesin e bisedimeve duke aluduar në presionin që mund ti bëhet liderëve të lartë institucional. Sa realisht mund të ketë kjo ndërlidhje?

Rrustem Mustafa: Gjykata Speciale ka ardhur si pasojë e gjithë propagandës përtej politikave armiqësore të shtetit mbi të cilin fituam luftën. UÇK në fund shekull ka prishur planet e shteteve jo mike tonat dhe shteteve jo demokratike, kështu që UÇK-ja krijoi ambient ku u involvua bota e qytetëruar dhe ktheu gjithë regjionin me sy nga Perëndimi, u krijua ambient për vendosjen e NATO-s dhe organizatave tjera, dhe mu për këtë u zhvillua propagandë e koordinuar nga qarqe të shumë shteteve dhe si pasojë lindi dhe u votua raporti i quajtur 'DIK MARTY" dhe në fund si rrjedhojë e kemi Gjykatën Speciale. Unë besoj se kjo gjykatë shpejt do të përfundojë punën e saj, dhe do të ketë vendime ku do të dëshmohet se drejtuesit e UÇK-së nuk e kanë lënduar të drejtën ndërkombëtare.

“Bota sot”: Si mund të hiqet “njolla e zezë” mbi luftëtarët e Kosovës z. Mustafa?

Rrustem Mustafa: Shume lehtë, s’kemi asgjë çfarë të fshehim, do t’ia dalim që t’i bëjmë të besojnë të gjithë ngase e vërteta lehtë sqarohet.

“Bota sot”: Si është gjendja në PDK, pas fillimit të procesit zgjedhor?

Rrustem Mustafa: PDK-ja është në procesin zgjedhor, dhe unë personalisht nuk jam i përfshirë në këtë proces, por jam i informuar se po zhvillohen gara nëpër gjitha komunat e vendit tonë. Kështu që presim që ky proces të përfundoj mirë dhe sa më shpejt. Po ashtu presim nga ky proces që të dalim më të organizuar dhe më të vendosur në mision të ri për Dekadën e Re.

“Bota sot”: z. Mustafa a ka përçarje brenda partisë suaj?

Rrustem Mustafa: Jo nuk ka.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat