Mustafa: Opozita ta rrëzojë PAN-in, ja kujt i takon pastaj kryeministri

Intervista

Mustafa: Opozita ta rrëzojë PAN-in, ja kujt i takon pastaj kryeministri

Më: 24 qershor 2019 Në ora: 12:13
Isa Mustafa

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, i ka lënë anash gjithë inatet me dy partitë e tjera opozitare, Lëvizjen Vetëvendosje dhe Partinë Socialdemokrate. Mustafa ka filluar takimet me këto dy parti, që dikur ishin një, për të arritur pajtimin për një mocion mosbesimi ndaj Qeverisë Haradinaj. Në një intervistë për Express, Mustafa ka thënë se përkundër faktit se PSD-ja e ka votuar buxhetin e Qeverisë dhe e ka ndihmuar Haradinajn të qëndrojë në pozitë, tani është koha të dëshmohet për rrëzimin e Qeverisë

Mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë Haradinaj ka bashkuar opozitën. Megjithatë tri partitë opozitare nuk mund t’i arrijnë numrat, pasi në Kuvendin e Kosovës LDK-ja i ka 25 deputetë, VV-ja 19 dhe PSD-ja 12, që gjithsej bëhen 56 vota, ndërsa për ta rrëzuar Qeverinë nevojiten 61.

Mustafën e kishte rrëzuar nga pushteti opozita bashkë me votat e Listës Serbe, vota këto të cilat ndihmuan edhe në krijimin e Qeverisë Haradinaj. Por, Mustafa thotë se nuk do t’i kërkojë votat e LS-së, pasi, sipas tij, kjo parti diktohet nga Serbia.

Mustafa ka thënë se partia e tij është përcaktuar të hyjë në zgjedhje pa koalicion parazgjedhor, por thekson se janë të hapur për koalicion me të gjitha partitë, përveç PDK-së, së cilës i kanë vendosur vijë të kuqe.

Pse nuk duhet të rrëzohet Qeveria aktuale me votat e Listës Srpska kur me të njëjtat vota është bërë Haradinaj kryeministër?

Isa Mustafa: Në pikëpamje kushtetuese deputetët e partive që përfaqësojnë komunitetet joshumicë i kanë vendet e tyre të garantuara në Kuvend. I kanë, po ashtu, vendet edhe në Qeveri. Prandaj atyre nuk mundet askush t’ua përjashtojë të drejtën ta formojnë, por edhe ta rrëzojnë Qeverinë. Me votat e Listës Serbe është themeluar Qeveria Haradinaj, me votat e tyre është rrëzuar qeveria ime, edhe pse edhe atëherë sikurse edhe tani, LS diktohej nga Serbia. Mocioni i mosbesimit në vitin 2017 është nënshkruar nga serbë, romë, egjiptas, nga VV-ja, AAK-ja, Nisma dhe njerëz të PDK-së. Ndërkaq, është organizuar nga PDK-ja.

Ne nuk do ta ftojmë Listën Serbe ta nënshkruajë mocionin. Por, ne nuk kemi të drejtë t’ia ndalojmë askujt të votojë në Kuvend.

Cili është vlerësimi juaj për punën e Haradinajt, i cili për dallim prej jush, nuk po përballet me protesta të opozitës?

Isa Mustafa: Protestat dhe dhuna kanë qenë të orkestruara me kauza të rrejshme nga të njëjtit që sot janë në pushtet dhe ata afër tyre. I bënë të gjitha të zezat me gaz lotsjellës, vezë, gurë, bomba molotovi deri te granatat për demarkacionin. Pastaj kur erdhën në pushtet e votuan të njëjtin dokument. Për Marrëveshjen për kriteret e Asociacionit, e kallën Kosovë, kurse në marrëveshje e kishin të shkruar se Asociacioni nuk themelohet  pa vendim të Gjykatës Kushtetuese. Rrjedhimisht ushtruan dhunë për ta rrëzuar qeverinë dhe për të ardhur në pushtet. Tani ata nuk zhvillojnë dhunë ndaj vetvetes. Kurse LDK nuk e do pushtetin me dhunë.

Sa u përket dallimeve ato janë si dita me natë. Është qeveri me një të tretën e ministrave të dyshuar për vepra penale, me mbi tetëdhjetë zëvendësministra, me vendime skandaloze për ndarje të buxhetit, për shkarkime dhe emërime të bordeve të ndërmarrjeve dhe agjencive të pavarura, me rritje të korrupsionit, me ministra që u përgjigjen liderëve të koalicionit qeverisës, me rrënim të marrëdhënieve me BE, SHBA, institucioneve financiare ndërkombëtare.

“Unë nuk i kam dhënë këshilla Presidentit, sepse opozita nuk këshillon”

Presidenti Thaçi ju falënderoi para disa ditësh pse po e këshilloni. Cili është pozicioni i LDK-së për idenë e re të tij për bashkim me Shqipërinë pasi i dështoi korrigjimi, pasi i kishte dështuar zhbërja e Speciales?

Isa Mustafa: Unë nuk i kam dhënë këshilla presidentit Thaçi, sepse opozita nuk këshillon. Por ia kam shfaqur mospajtimin tim të thellë për korrigjimin e kufijve, ndryshe thënë këmbimin e territorit, përkatësisht vënien në tryezë të bisedimeve të Deklaratës së Pavarësisë. 

Sa i përket bashkimit me Shqipërinë, presidenti do të duhej që së pari t’i propozojë Kuvendit ndryshimin e nenit një dhe dy të Kushtetutës, sepse përderisa ato janë në fuqi ai e shkel Kushtetutën me një qëndrim të tillë. Ndryshe kjo ide e tij, konsideroj se është pasojë e konfuzionit politik të tij apo të rrethit të tij. Që e shoh të rrezikshëm për vendin.

“LDK, si partia më e madhe në vend, nuk do të heq dorë në asnjë variant që ta ketë kryeministrin”

Aktualisht jeni në negociata me dy partitë opozitare, Vetëvendosjen dhe PSD-në. Me cilën nga këto dy parti po ju ecën bashkëpunimi më mirë?

Isa Mustafa: Me Vetëvendosjen kemi bërë përpjekje të bashkërendisim opozitarizmin. Me PSD-në nuk kemi pasur sa duhet suksese, sepse ata e kanë votuar buxhetin dhe e kanë shpëtuar Qeverinë Haradinaj nga rënia, por po ua votojnë edhe gati të gjitha ligjet e tjera. 

Tani, sa i përket Mocionit të Mosbesimit do ta dëshmojmë bashkërisht se a jemi të gjithë të gatshëm dhe të vendosur ta rrëzojmë Qeverinë e koalicionit PAN. 

Nuk e keni përjashtuar një koalicion parazgjedhor me Vetëvendosjen, e cila dihet se ju ka kundërshtuar e ju ka akuzuar shumë. Si është i mundshëm një bashkëpunim i tillë dhe a mund të merreni vesh për pozitën e shefit të Qeverisë, një pozitë që e synon Kurti prej dhjetë vitesh?

Isa Mustafa: Në jetë politike duhet të luftohet për të vërtetën. Në qoftë se VV por edhe  PSD dhe subjektet e tjera e kanë parë se akuzat që ata i bënin nuk qëndrojnë, ne nuk kemi nevojë të mbetemi peng e mërive dhe inateve.

Në parim, si LDK, jemi përcaktuar të hyjmë në zgjedhje pa koalicion parazgjedhor. Për koalicione të mëtutjeshme do të jemi të hapur si për VV ashtu edhe për subjektet e tjera; jam i sigurt jo edhe për PDK-në. 

Çdo parti ka të drejtë të synojë pozitën e Kryeministrit. LDK, si partia më e madhe në vend, nuk do të heq dorë në asnjë variant që ta ketë Kryeministrin. 

“Disa përçarje në zbatimin e qëndrimeve të organeve të LDK-së nga e kaluara nuk na kanë bërë mirë” 

Kur do të përfundojnë zgjedhjet e brendshme në LDK dhe sa janë gjasat që ju të jeni prapë në krye të kësaj partie?

Isa Mustafa: Do të presim përfundimin e zgjedhjeve në të gjitha degët. Do të vlerësojmë rezultatin e zgjedhjeve dhe frymën e krijuar nga to. Me rëndësi është që të mbahet uniteti dhe solidariteti i brendshëm i LDK-së që tani po  mbushë tridhjetë vjet. Mbi këtë bazë, para se të mbahet Kuvendi Zgjedhor, do të deklarohem edhe unë për qëndrimin tim.

Lufti Haziri, Vjosa Osmani, Agim Veliu, Gazmend Muhaxheri, Fatmir Sejdiu e të tjerë janë përmendur si pretendentë për kryetar të LDK-së. Kush prej këtyre emrave mund ta mbajë të bashkuar LDK-në e jo ta ndajë qysh ka ndodhur në të kaluarën?

Isa Mustafa: 
Lidhja Demokratike e Kosovës do të jetë e fortë dhe e bashkuar. Se kush do të jetë Kryetar, do të vendos Kuvendi i LDK-së. Mirë është që në LDK ka konkurrencë. Unë jam i bindur se Kryetar do të bëhet ai, të cilit më së shumti i beson anëtarësia e LDK-së dhe strukturat e saj.

E kemi parë shumëherë se si brenda LDK-së ka përçarje në kuptimin e qëndrimeve të kundërta për një çështje të caktuar. Si e vlerësoni këtë situatë dhe si janë raportet tuaja me gardën e re dhe të vjetër brenda partisë?

Isa Mustafa: Disa përçarje në zbatimin e qëndrimeve të organeve të LDK-së nga e kaluara nuk na kanë bërë mirë. Mendoj se këtë e kemi kuptuar të gjithë ne brenda LDK-së. Edhe unë si Kryetar i LDK-së. Nuk flas për përçarje ndërmjet gjeneratave, sepse ato janë menaxhuar mjaftë mirë, por më tepër për qëndrime dhe pozicione individuale. Jemi partia më e vjetër dhe më e madhe në Kosovë dhe si e tillë po i përjetojmë dhe po i menaxhojmë këto procese. /GazetaExpress

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat