Quni: Nuk do të lëmë gur pa lëvizur për ta shkarkuar Hashim Thaçin

Intervista

Quni: Nuk do të lëmë gur pa lëvizur për ta shkarkuar Hashim Thaçin

Më: 29 gusht 2019 Në ora: 14:20
Anton Quni

Ish-Deputeti i LDK-së dhe kryetari i Degës së kësaj partie në Prizren, Anton Quni, në një intervistë ka folur për nominimin e Vjosa Osmanit për kryeministre, koalicionin LDK-Vetëvendosje, vijat e kuqe me PDK-në dhe rreth asaj nëse LDK-ja do të iniciojë ndonjë nismë për shkarkimin e Hashim Thaçit nga posti i Presidentit.

Për koalicionin e mundshëm me Lëvizjen Vetëvendosje, Quni është i prerë. Ai thotë se posti i kryeministrit i takon LDK-së si partia më e madhe në vend dhe se për një gjë të tillë kërkon edhe mirëkuptimin e partisë së Kurtit.

Ndërkohë për rrëzimin e Thaçit nga karrigia e Presidentit, Quni thotë se nuk do të lënë gur pa lëvizur për të realizuar një qëllim të tillë.

Cili është mendimi juaj lidhur me vendimin e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së për të nominuar Vjosa Osmanin kandidate për kryeministre?

Quni: Kandidimi i Vjosa Osmanit, përbën lajm të mirë, jo vetëm për LDK-në, por për krejt Kosovën. Lidhja Demokratike, e cila ka lindur me nevojat e Kosovës dhe të popullit të saj, ashtu siç ka shkruar historinë duke realizuar projektin që ishte ëndrra e secilit qytetar për Kosovën shtet të lirë, sovran dhe demokratik, edhe kësaj radhe po e bënë historinë duke u bërë partia e parë që për kandidate për kryeministre, kandidon një grua të mençur, të zonjën, të guximshme dhe të dëshmuar se është e mishëruar me pritjet, dëshirat, shpresën dhe nevojat e qytetarëve të këtij vendi.

Duke nominuar Vjosën, LDK dëgjoi zërin e votuesve, e përtej tyre edhe zërin e qytetarëve të cilët kërkojnë që të udhëhiqen nga një kryeministër që me punë të mirë, me qeverisje profesionale, me guxim, me kompetencë, me vullnet e duar të pastra do të kthejë vendin tonë në binarët e duhur, do ta kthej shpresën e humbur tek qytetarët dhe respektin e miqve dhe aleatëve të Kosovës.

A e vlerësoni koalicionin parazgjedhor LDK-VV si të duhurin për situatën politike në të cilën ndodhet Kosova?

Quni: LDK është e interesuar për koalicion. Jemi para një lloj shansi historik për ta bërë ndryshimin e madh në këtë vend. Sipas sondazheve të dyja partitë tona qëndrojnë mirë dhe shumë lartë dhe në qoftë se ne bëhemi bashkë, atëherë LDK dhe VV do ta shfrytëzojmë shansin historik që ti dërgojmë në opozitë ata që keq qeverisën, që zhvatën e keqpërdorën pamëshirshëm paranë publike. Bënë një kabinet qeveritar të përmasave të kabinetit kinez, rritën rrogat për vete, falën e dhuruan para të popullit e çfarë s’bënë tjetër.

Një koalicion mes nesh do ta bënte më të lehtë dhe më të sigurt fitoren tonë. Me VV-në kemi dallime të mëdha, por qëllimi për të nxjerrë Kosovën nga qorrsokaku ku e ka future PAN-I, duhet dhe mund të tejkaloj çdo dallim që ekziston mes nesh.

Sidoqoftë, këto janë çështje që trajtohen dhe do të trajtohen në nivelin më të lartë të liderëve të partive.

A mendoni se LDK nuk duhet të heqë dorë nga posti i Kryeministrit nëse kjo kërkohet nga Lëvizja Vetëvendosje në një koalicion të mundshëm parazgjedhor mes dy partive?

Quni: Jo, sepse LDK-ja është partia më e madhe në vend, jo vetëm me numrin e deputetëve në legjislaturën e fundit, por edhe me komunat e fituara dhe me votat që ka marrë në zgjedhjet e fundit lokale. Natyrisht, do të dëshiroja që kjo të merrej në konsideratë nga VV sepse jam i sigurt që po pati vullnet mund të gjinden mënyra të ndryshme se si të garojmë dhe si të qeverisim së bashku.

A e konsideroni si punë të kryer deklaratën e kryetarit të LDK-së Isa Mustafa se në asnjë variant nuk do të ketë koalicion me PDK-në?

Quni: Po, nuk kam asnjë arsye mos ta konsideroj si punë të kryer. E kemi biseduar nëpër të gjitha organet e partisë të cilat kështu e kanë vendosur këtë çështje – JO me PDK!

Nëse LDK-ja del fituese e zgjedhjeve dhe qeverisë me Kosovën a do të ndërmarrë hapa konkretë për shkarkimin e Hashim Thaçit nga posti i presidentit?

Quni: Ju e dini që duhet të kemi bazë për inicim të procedurave për shkarkim, sipas Kushtetutës dihet kur dhe pse një president mund të shkarkohet. Ekspertët tanë në vazhdimësi janë angazhuar dhe do të vazhdojnë ta studiojnë mundësinë për të realizuar këtë. Një gjë mund të ju garantoj, nuk do të lëmë gur pa lëvizur!

Cili është qëndrimi juaj për taksën 100% ndaj prodhimeve serbe dhe boshnjake, a duhet Kosova të anulojë a po jo atë në rast se Bashkimi Europian e kërkon për të filluar dialogu Kosovë-Serbi?

Quni: Tarifa e vendosur ka qenë një vendim i cili ndër të tjera i ka mbuluar skandalet e qeverisë së kaluar, por ajo tash është vënë dhe nuk ka asnjë arsye për ta larguar përderisa Serbia nuk ka ndryshuar sjelljen e saj agresive ndaj Kosovës. LDK më shumë se sa për këtë tarifë është për vënien e masave të reciprocitetit me Serbinë. Por, natyrisht që qasja jonë me partnerët strategjik dhe aleatët historik të Kosovës, SHBA e BE është e ndryshme nga partitë tjera. Ne nuk e rrezikojmë miqësinë me ta por mençur do t’i bindim se kemi të drejtë./Express

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat